Gjykata Kushtetuese vendosi sot të shtyjë për në datën 28 shtator vendimin për padinë e Unionit të Gjyqtarëve mbi ligjin e Vettingut.
Ky vendim i sotëm krijon deri diku paqartësi për procesin e skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, proces që zyrtarisht është thënë se do të nisë në muajin shtator, madje një pjesë e vëzhguesve ndërkombëtarë kanë mbërritur tashmë në Tiranë dhe kanë nisur punën me dosjet.
Nuk dihet nëse vettingu do të nisë menjëherë në muajin shtator, apo do të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas datës 28 shtator. Shqipëria kërkon të marrë një rekomandim pozitiv nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave me BE-në në fund të këtij viti, rekomandim që varet vetëm nga rezultatet e para në procesin vettingut.
Padia në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e Vettingut, është tentativa e dytë e gjyqtarëve kundër këtij procesi. Kësaj here janë ankimuar më specifikisht nenet që kanë lidhje direkt me fatin e tyre, siç është e drejta për mos iu nënshtruar vettingut apo për të dhënë dorëheqje.
Veç vettingut është janë ankimuar edhe dy ligje të tjera të reformës në drejtësi; ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Një ditë më parë Lapsi.al raportoi se qeveria po bën gati përmes ILDKPI-së një padi kundër një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, për fshehje dhe mosjustifikim të pasurisë. Kjo shihet si një përpjekje e pastër e qeverisë për të ushtruar presion ndaj Kushtetueses lidhur me ankimin që i është bërë ligjit të vettingut.
Por mbetet të presim datën 28 shtator kur do të zhvillohet dëgjesa publike, për të mësuar se çfarë vendimi do të marrë Gjykata Kushtetuese për vettingun.