Vetura nga e cila u vra Ivanoviq është pronë e një serbi të vdekur me shtetësi austriake

Prishtinë | 17 Jan 2018 | 16:06 | Nga

Vetura “Opel Astra” që u gjet e gjysmë e djegur, pak kilometra larg vendit ku u vra Oliver Ivanoviq, është në pronësi të një serbi me shtetësi të Austrisë, që tash është i vdekur.
“Vecernje Novosti”, ka raportuar se automjeti të cilin autoritetet kosovare kanë konfirmuar se janë duke e ekzaminuar, që dyshohet se u përdor nga vrasësi i ish-deputeti serb të Kuvendit të Kosovës është e regjistruar në pronësi të një personi që nuk jeton më.

Sipas këtij mediumi serb, pronari i saj që ka vdekur (70 vjeç), është një shtetas Austriak me prejardhje serbe, shkruan në shqip Gazeta Express.

Policia e Kosovës të mërkurën ka njoftuar në vazhdën e hetimeve për vrasjen e ish-zyrtarit serb të Qeverisë së Kosovës, ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka procesuar shikimin e vendit të ngjarjes, ku janë mbledhur dëshmitë relevante për këtë rast.

Sipas PK-së, tani janë proces të ekzaminimit kriminalistik të të gjitha këtyre dëshmive. Policia njofton se në veçanti janë duke u nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e ngjarjes.

“Në kuadër të veprimeve hetimore është identifikuar një veturë e djegur, e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, veturë e cila dyshohet të jetë e përfshirë në këtë rast. Gjithashtu kemi arritur të gjurmojmë në nivel vendi por edhe ndërkombëtar të dhënat lidhur me qarkullimin si dhe pronarin/poseduesin e kësaj veture”, thuhet në njoftimin e PK’së.

24 orë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, autoritetet kosovare ende nuk kanë identifikuar asnjë të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit serb të Kosovës.

Ivanoviq u qellua në gjoks, për vdekje, me gjashtë plumba, të martën në mëngjes.

Oliver Ivanoviq është figura më e lartë politike e vrarë në Kosovë, në 15 vjetët e fundit. Ai ka qenë për disa mandate deputet i Kuvendit dhe zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës.

Ivanoviq së fundi ka qenë duke u përballur me aktakuzën për krime lufte, ndonëse ishte i dënuar nga Themelorja për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Veriu, por rasti ishte kthyer në rigjykim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme