Veturën që goditi këmbësorin po e voziste drejtori Behra, jo Vehapi

Prishtinë | 19 Sht 2016 | 15:59 | Nga

Komuna e Rahovecit ka sqaruar se veturën zyrtare të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, e cila të dielën u përfshi në një aksident komunikacioni, po e voziste drejtori i Shërbimeve Publike, Muhamet Behra.

Ekonomia Online raportoi, më herët gjatë ditës, duke u bazuar në deklarimet e dëshmitarëve në vend të ngjarjes, se vetura zyrtare “KIA”, të cilën aktualisht e shfrytëzon kryetari Vehapi, ka goditur një këmbësor dje në dalje të fshatit Ratkoc të Rahovecit. Policia ka konfirmuar se një këmbësor ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë “Isa Grezda” për trajtim mjekësor.

Haziz Krasniqi, zyrtar për Informim në Komunën e Rahovecit, ka thënë se kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ndodhej në veturën e aksidentuar, porse nuk e drejtonte atë.

“Kryetari Idriz Vehapi, gjatë ditës së diel, ka qenë në terren me drejtorin e Shërbimeve Publike, Muhamet Behra, në projektin i cili është duke u realizuar në rrugën që lidh fshatin Ratkoc me fshatin Baboc. Pas vizitës së këtij projekti, gjatë rrugës për t’u kthyer në shtëpi, krejt papritmas iu del një person në rrugë. Shpejtësia e veturës nuk ka qenë e madhe dhe në atë aksident lëndohet kalimtari. Kurse, drejtori i Shërbimeve Publike dhe kryetari Vehapi nuk kanë marrë lëndime. Kalimtari i rastit dërgohet në spital edhe e gjithë kjo përfundon me kaq”, ka thënë Krasniqi.

“Këto raste mund t’iu ndodhin të gjithëve kush është përditë në komunikacion… Se kush ka qenë gabim janë organet e tjera të cilat merren me rastin”, ka theksuar ky zyrtar komunal.

Kryetari Vehapi, rëndom, shfrytëzon një tjetër veturë zyrtare. Por, Krasniqi ka sqaruar se vetura e cila është e kryetarit është duke u rregulluar, “pasi ka pasur aksident me atë veturë muaj më parë”.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/siguri/vetura-zyrtare-e-vehapit-godet-nje-kembesor-foto/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme