Sot, Lëvizja Vetëvendosje! do të duhej të produksiononte video të rrugëve të shtruara, të shkollave të modernizuara, të njohjeve dhe anëtarësimeve të shtuara ndërkombëtare.
Video të punëtorëve të rinj të punësuar, të grave të përfaqësuara, të komuniteteve tjera etnike të integruara. Video të minatorëve të rehabilituar, dhe të jetesës së tyre të përmirësuar. Video të lirive njerëzore të avancuara dhe festuara.
Do të duhej të kishte bërë video të personave të pagjetur që janë gjetur dhe kthyer familjeve dhe drejtësisë së vendosur.
Do të duhej kishte video ku Serbia akuzohet dhe gjykohet për agresionin në veri. Video ku pajtimi zë vend, ndërsa dialogu dhe kompromisi nuk kanë alternativë.
Do të duhej të kishte video të vizitave të delegacioneve ndërkombtare, festivaleve dhe samiteve. Ndonjë video të ngjarjeve kulturore dhe artistike ndërkombëtare.
Por, Lëvizja ato video nuk i bën dot!
Sepse nuk i ka bërë detyrat e veta të shtëpisë.
Lëvizja Vetëvendosje! mund të bëjë vetëm video të fushatave të dështuara elektorale në Shqipëri, Luginë dhe Maqedoni. Video që nga paniku prodhon trillera dhe jo shërbim qytetarëve dhe vendit.
Video të monologjeve të kryetarit të tyre teksa flet vetë dhe vet qesh ndërsa turma i duartroket. Mund të nxjerrë video qesharake të deputetëve të vet nga debatet ku i kishte nxjerrë ashiqare për të gënjyer. Mund të bëj seriale me video të pronave të krijura gjatë këtij mandati të ministrave të vet të korruptuar. LVV! mund të nxjerrë video të brigadave të të rinjve që braktisin vendin. Video të tipit “shtrijmë sovranitet – tëkurrim e hajmë shtet”.
Ende mund të nxjerrin video për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe UÇK-në dhe të demonizojnë tutje krahun e luftës për efekte elektorale, sepse LVV ende është në garë me hijen e tyre.
Mund t’i mbledhin video inçizimet dhe të na tregojnë si hahet mishi i pulës dhe pihet boza në veri.
Në mungesë të aktiviteteve të përbashkëta me Shqipërinë, mund të nxjerrin video të dasmave me familjarë e dosta të punësuar në institucione dhe borde.
Video instruksionet si të shkelen sindikatat, mediet dhe zërat kritik. Si përbuzet opozita e jashtme dhe si asgjësohet opozita e brendshme politike.
Historia, pa pikë dyshimi, do ta nxjerrë videon e vet demaskuese për Lëvizjen Vetëvendosje!. Shumëkush do të dëshironte të mos ishte identitikuar fare me epokën e saj, lëre më ta kishte mbështetur!