“Për fat të keq racizmi nuk ka vdekur, por si qenie humane, ne jemi përgjegjës për njëri-tjetrin”, thotë Anita Lasker-Wallfisch. “Askush nuk ka hyrë në botë me veshje të etiketuar si ‘supernjeri’ apo ‘njeri superior’. Ne jemi ata që i kemi shpikur këto etiketime”.
Lasker-Wallfisch relativisht vonë u bë avokuese e zëshme e vlerave humane dhe tolerancës, shkruan DW, transmeton “Koha Ditore”. Me dekada, ajo kishte refuzuar të flasë për fëmijërinë e saj në Gjermani, apo për vitet e saja në paraburgim në Auschwitz dhe Bergen-Belsen – e as për vetë fëmijërinë e asaj.
Pastaj, në fillim të viteve ’90, ajo shkroi memoaret e saj nën titullin “Inherit the Truth” dhe nisi ta vizitojë Gjermaninë rregullisht, një tokë të cilën prej kohësh kishte refuzuar ta shkelte, gjë që e kishte rrëfyer shpeshherë nëpër orë mësimore në shkolla.
Është një rrëfim për ikjen, burgimin, punën e detyruar, e të bërit muzikë nën rrethanat më sfiduese, emigrimin dhe më në fund, edhe një karrierë në muzikë. Anita Lasker, tashmë 92-vjeçare, ishte lindur në një familje gjermane hebreje, në Breslau (sot Wroclaw në Poloni). I ati i saj ishte avokat dhe e ëma violiniste, kështu që familja nën regjimin gjerman me sukses ia doli që motrën e madhe të Anitës, Marianne ta dërgojë në Angli në fund të vitit 1939.
Prindërit ishin deportuar më 1942: Anita ishte 16-vjeçare dhe asnjëherë s’i pa më. Kur u fut në një jetimore, Anita dhe motra e saj Renate kishin punuar në një fabrikë të letrës dhe kësisoj nuk u dëbuan menjëherë. Aty nisën të falsifikonin dokumente për t’ua mundësuar punëtorëve të detyruar francezë të ktheheshin në Francë.
Më vonë, Anita e kishte dhënë një shpjegim: “Asnjëherë nuk mund ta pranoja se duhej të vritesha për atë që kisha qëlluar kur u linda, dhe vendosa t’u jap gjermanëve një arsye më të mirë për të më vrarë”. Kur në qershor të vitit 1943 motrat u përpoqën të ikin në Francë me pasaporta të falsifikuara, ishin arrestuar në stacionin e trenit dhe ishin dërguar në burg.
Pesë muaj më vonë, Anita, asokohe 18-vjeçare dhe motra e saj, ishin deportuar ndaras për në Auschwitz. Koha që kishte kaluar në burg, kishte qenë një fat në fatkeqësi, duke qenë se ajo ndodhej në një tren dhe kësisoj ishte e ndarë nga ata që në përgjithësi, sapo mbërrinin në kamp, dërgoheshin drejt në dhomat e gazit.
“Ishim me fat që ishim klasifikuar jo si hebre por si kriminele”, kishte thënë Anita gjatë një
fjalimi të mbajtur në Bergen-Belsen. Pasi kishte përmendur se mund të interpretonte në violonçelo, Anita, asokohe vajzë e re, u fut në një orkestër të burgosurish, të udhëhequr nga Alma Rosé, mbesa e Gustav Mahlerit.