13 marsi i këtij viti ndezi “alarmin e pandemisë” në Kosovë. Ndonëse në këtë ditë u konfirmuan vetëm dy raste, frika, ankthi e paniku u përhap tek qytetarët.
Shumë prej tyre vërshuan barnatoret dhe dyqanet ushqimore, për të krijuar rezerva ushqimesh dhe ilaçesh, kjo për shkak se vendi u fut në karanatinë, dhe se ky virus ishte i panjohur.
Për aq sa ishte virusi enigmatik për qytetarët e thjeshtë, koronavirusi edhe mantelbardhët kosovarë i hodhi para shumë dilemave.
“Kontaktet e para me 4 deri në 5 pacientët e parë kom arrit me i thyer shumë dilema, në kuptimin e asaj se nuk është një sëmundje që nuk trajtohet, ka mundësi shërimi të saj edhe mundemi me pas një trajtim të mirëfilltë”, deklaron për Klan Kosova infektologu Salih Ahmeti.
Përkundër moshës së tij, infektologu 63 vjeçar Salih Ahmeti nuk hoqi dorë dhe vendosi që edhe kësaj pandemie t’i dal në krye së bashku me kolegët e tij.
“Unë kom menduar që mund të kemi epidemi të karakterit lokal, por epidemi të përmasave të tilla se kom menduar”, shton infektologu Ahmeti.
Specialistin e kësaj lëmie me përvojë 40 vjeçare, ky virus e kishte befasuar në çdo rrjedhojë të tij.
Janë pikërisht pikëpyetjet e shumta të koronavirusit që pacientët e prekur i shtyu ta mendojnë edhe më të keqën.
“Ju thashë mund të ndodhë ma e keqja, ju duhet mu përgatit,…, unë nuk mujta me u mërzit se isha keq a fëmijët po” , tregon Nexhmedin Hoti i shëruar nga COVID-19.
Megjithatë, epidemiologu i pensionuar ia bëri një premtim vetes, luftën me virusin, të cilën edhe e fitoi por me shumë telashe.