Sektori i turizmit në Shqipëri është ndër më të goditurit në vend, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por një goditje të madhe ka pësuar edhe turizmi patriotik, si shpresa e vetme e operatorëve turistikë në Shqipëri, por edhe e zyrtarëve të lartë të turizmit në vend.
Shifrat tregojnë për një ulje sistematike të numrit të turistëve nga Kosova. Numri i turistëve kosovarë në Shqipëri ka vazhduar të pësojë ulje në kulmin e sezonit turistik, ku përfshihen muajt korrik e gusht. Në qershor, përqindja e turistëve kosovarë në Shqipëri ishte 48.7% më e ulët se një vit më parë. Në korrik, kjo shifër është rritur në 55.27% më pak se një vit më parë. Ndërsa, në 10-ditëshin e parë të gushtit shifrat janë edhe më pesimiste – tani kemi të bëjmë me një zvogëlim të numrit të turistëve në masën 66%, shkruan KOHA.
Në bazë të shifrave që disponon Policia e shtetit në Shqipëri për numrin e hyrje-daljeve përmes pikës së kalimit kufitar Morin-Vermicë, rezulton se në muajin korrik të këtij viti kanë hyrë nga Kosova në Shqipëri 200.800 persona, nga 448.896 persona që kanë hyrë në të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Pra, në pikë përqindjeje kemi të bëjmë me një zvogëlim të numrit prej 55.27%, krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa për periudhën 1-10 gusht të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 88.400 shtetas kosovarë. Ndërkohë që për të gjithë muajin gusht të vitit 2019 kanë hyrë në Shqipëri 781.227 persona nga Kosova.
Megjithëse 10-ditëshi i parë i gushtit është muaji i pikut të turizmit në Shqipëri, nga një përllogaritjeje e thjeshtë, edhe nëse vazhdon i njëjti trend i hyrjeve në Shqipëri, bëhet fjalë për përqindje shumë të ulëta, madje më të ulëtat e sezonit në një masë 66% më pak se një vit më parë.