Të gjithë qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që viti 2019-të do të jetë përcaktues për të ardhmen e vendit. Kështu thotë deputeti i Alternativës, Ilir Deda.
Deda, gjithashtu thotë se jo veç viti 2018-të ka qenë i rëndë, viti në të cilin po hyjmë do të jetë edhe më i rëndë sipas tij.
“Qytetarëve i dëshiroj shëndet e mbarësi në Vitin e Ri 2019. Ndërsa, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm që viti që po vjen do të jetë shumë i rëndë dhe përcaktues për të ardhmen e vendit dhe të vetë qytetarëve. Secili qytetar është përgjegjës për kahjen që do e merr Kosova, dhe zhvillimet që na presin janë vitale për tu lënë vetëm në duart e politikanëve. Prandaj në vitin 2019 na duhet shumë më tepër angazhim qytetar për të ardhmen e vendit, se sa që kemi pasë në këto gati dy dekadat e fundit”, ka thënë Deda për KOHA.net.
Për vitin e ardhshëm, Deda thotë se gjithashtu duhet thellim i besimit dhe kredibilitetit shtesë nga BE-ja, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave.
“Komisioni Evropian edhe Parlamenti Evropian e kanë vërtetuar plotësimin e 95 kritereve për liberalizim të vizave, dhe e kanë përkrahur heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk mund të caktohen kritere shtesë, ashtu siç kanë kërkuar 2-3 shtete të BE-së që po e politizojnë pa asnjë arsye liberalizimin e vizave. Është jashtëzakonisht zhgënjyes fakti që BE nuk i përmbahet kontratës me Kosovën për heqje të vizave, dhe nuk e përmbushë obligimin e vet ndaj nesh”, ka thënë deputeti i Alternativës.
Gjithashtu kur ka folur për zgjedhjet e reja. Ka thënë se vendi është dashur të shkojë në zgjedhje shumë më herët gjatë vitit 2018.
“E tash jemi të bllokuar me betejën me Beogradin dhe me kalendarin dhe afatin e shteteve perëndimore për marrëveshjen finale me Serbinë. Besoj që pas përfundimit të dialogut me Serbinë duhet patjetër të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë ai.