Viti i përgjakshëm 2018, shuarja e familjes nga Suhareka e kishte pikëlluar gjithë Kosovën

Prishtinë | 03 Jan 2019 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Viti 2018 do të mbahet mend për vdekjet e shumta në komunikacion. Periudha gjatë muajve të verës dhe fundviti nuk do të harrohen lehtë për shumë familje kosovare, që humbën më të dashurit e tyre në aksidente të ndryshme trafiku. Vdekjen nëpër rrugë e gjetën edhe shumë mërgimtarë që erdhën në vendlindje për t’i kaluar pushimet.
Nuk ka kaluar asnjë muaj i vitit që e kemi lënë prapa e që rrugët e Kosovës të mos laheshin në gjak prej aksidenteve në komunikacion. Viktimat ishin gra, burra e fëmijë. Bëhet e ditur se 126 persona vdiqën në komunikacion gjatë 12 muajve të vitit 2018, këtë shifër e tha Policia për Gazetën Express.

“Nga 1 janari 2018 deri më 30 dhjetor kanë ndodhur 97 aksidente fatale me gjithsej 124 persona të vdekur”, tha Bajram Krasniqi nga zyra për informim në Policinë e Kosovës.

Në ditën e Vitit të Ri nëpër aksidente humbën jetën edhe 2 persona të tjerë duke bërë që numri i të vdekurve në komunikacion gjatë vitit 2018 të arrijë në 126 viktima. Megjithatë, numër më i vogël se në vitin 2017, gjatë të cilit humbën jetën 137 persona, ose 11 më shumë sesa në këtë vit.

Rasti më i dhimbshëm është aksidenti në Duhël të Suharekës. E gjithë Kosova e vajtoi atë. Kryefamiljari bashkë me gruan e tre fëmijët mbetën të vdekur në veturën e tipit BMW pasi vetura e tyre u përplas me një autobus.

Policia e Kosovës tha për Gazetën Express se nga 1 janari 2018 deri më 30 dhjetor kanë ndodhur 97 aksidente fatale me gjithsej 124 persona të vdekur. Në ditën e Vitit të Ri nëpër aksidente humbën jetën edhe 2 persona të tjerë duke bërë që numri i të vdekurve në komunikacion gjatë vitit 2018 të arrijë në 126 viktima. Megjithatë numër më i vogël se në vitin 2017, gjatë të cilit humbën jetën 137 persona, ose 11 më shumë sesa në këtë vit.

Në mesditën e 8 korrikut të vitit 2018, komunikacioni në magjistralen Prizren-Shtime, konkretisht në Duhël u bllokua për një kohë të gjatë. Kjo për shkak se në një aksident të rëndë trafiku u shua komplet familja pesanëtarëshe nga Suhareka.

32-vjeçari, Jeton Sadikaj, kishte ardhur nga Zvicra së bashku me gruan dhe tre fëmijët. Udhëtimi që po e bënte me veturë, përfundoi tragjikisht kur u përplasën me një autobus në rrugën Duhël-Suharekë.

Numër i madh i qytetarëve morën pjesë në varrimin e familjes Sadikaj nga fshati Sopijë e Suharekës.

Një aksident i tmerrshëm mes veturës dhe autobusit ndodhi më 23 korrik, ku mbetën të vdekur tre persona: motra, vëllai dhe dhëndri. Selvije Berisha, 58-vjeçare, bashkë me bashkëshortin Jakupin dhe vëllanë Jakupin humbën jetën në këtë aksident përderisa po ktheheshin nga QKUK-ja.

Në shtator, ndodhi një aksident mes tri automjeteve në fshatin Meqë të Gjakovës që shkaktuan vdekjen e një fëmije (vajzë, 7-vjeçe). Aty u lënduan edhe nëntë persona të tjerë.

Në tetor, një veturë goditi për vdekje dy gra. Njëra 31-vjeçare dhe tjetra 23-vjeçare. Aksidenti ndodhi në Rrugën “B” në Prishtinë.

Po këtë muaj, Xhevat Jusufi, nxënës i klasës së gjashtë, njëherësh i shkëlqyer në mësime, humbi jetën në një aksident në fshatin Lushtë të Mitrovicës. Dyshohet se minibusi që e dërgonte një ekip të gjeneratës së Xhevatit për stërvitje të futbollit e goditi për vdekje 11-vjeçarin.

Edhe muaji dhjetor ishte fatal për disa persona. Më 29 dhjetor në një vetaksident në rrugën Prishtinë-Ferizaj, humbën jetën dy gra, njëra 31-vjeçare e tjetra 23-vjeçare. Aksidenti ndodhi kur viktimat bashkë me dy kolegë të tyre po ktheheshin nga ndeja e fundvitit e bankës TEB. Lëndime të rënda pësuan edhe dy kolegët e tyre meshkuj.

Një ditë më vonë për vdekje u godit edhe një djalë 11 vjeç në Skenderaj.

Dita e fundit e vitit 2018, 31 dhjetori, u shënua me viktima në komunikacion. Dardane Murtezi Ademi, 32-vjeçare, humbi jetën në një aksident në fshatin Penuhë të Podujevës.

Policia e Kosovës gjatë tërë vitit ka bërë apel për kujdes në komunikacion dhe respektimin e të gjitha shenjave të trafikut.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme