Vizat dhe dialogu me Serbinë, temë diskutimi mes Bislimit e Von Cramonit

Prishtinë | 15 Jan 2024 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, kanë diskutuar të hënën mbi procesin e dialogut me Serbinë, liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian.

Bislimi e ka pritur në takim zyrtaren evropiane, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit duke shtuar se Bislimi e ka falënderuar për rolin e saj në Parlamentin Evropian.

“Në vijim, u diskutua dhe mbi angazhimin e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, çështjet në lidhje me procesin e dialogut si dhe zhvillimet në vend, rajon e më gjerë. Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu falënderimin dhe vlerësimin e tij për rolin dhe angazhimin e znj. Cramon në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Për angazhimin në liberalizimin e vizave, Cramonin e ka falënderuar të dielën edhe kryeministri Albin Kurti.

“Duke folur për zhvillimet pozitive në këtë fillimvit, kryeministri veçoi liberalizimin e vizave për çka e falënderoi znj. Cramon për punën dhe angazhimin e saj. Në më pak se tri vite qeverisje, Kosova prin në rajon për qeverisjen e mirë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik. Kryeministri e falënderoi dhe shprehu vlerësimin për rolin dhe angazhimin e znj. Cramon në Parlamentin Evropian”, thuhet më tej në njoftim.

Të ngjashme