Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të ndodhë gjatë këtij viti vetëm nëse votohet në Kuvend demarkacioni me Malin e Zi, dhe tregohen rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit, ka thënë për Indeksonline zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statofci.
Ndërkaq sa i përket deklarimeve të Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli i cili ka pohuar se në muajin qershor të këtij viti, do të ndodh liberalizimi i vizave por vetëm nëse votohet demarkacioni, zëvendësministrja Statofci nuk ka preferuar të flasë për data, duke thënë se nuk ka informacion konkret nga BE-ja në lidhje me këtë çështje.
“Në momentin që përmbushen dy kriteret e fundit për liberalizim ma Kosova e ka kryer punën e saj dhe procesi pastaj kalon tërësisht në anën e BE-së dhe procedurave të tyre. Prandaj është e vështirë të përcaktohet me datë se kur do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët”, ka thënë ajo.
Sa i përket kriterit për luftimin e korrupsionit, Statovci ka theksuar se lufta kundër korrupsionit është proces afatgjatë, nuk mund të kryhet për 1 muaj e as për një vit, sepse është proces që nuk ka datë të fillimit dhe të mbarimit.
“Më konkretisht ne duhet të japim të dhëna për rastet konkrete të korrupsionit për vendimet finale nga gjykatat ose që janë në stadet e fundit të finalizimit të vendimeve, kjo është ajo dëshmia që kërkohet nga ne nga ana e BE-së”, ka thënë Statovci.
Ndërkaq për Profesorin e Integrimeve Evropiane Avni Mazreku, nuk do të jetë vetëm sfida e kalimit të demarkacionit në Kuvend, sepse sipas tij në fund do të jenë 55 përqind të shteteve që janë të barabarta me 65 përqind të popullsisë së BE-së,të cilat do të vendosin nëse Kosova do të marrë liberalizimin.
“Procedura për marrjen e vendimit për vizat bëhet në këshillin e Bashkimit Evropian përkatësisht në konfiguracionin e ministrave të brendshëm. Sistemi i votimit i cili përdorët në këtë konfiguracion është sistem i votimit të shumicës së kualifikuar që nënkupton që duhet të votojnë 55 përqind të shteteve që janë të barabarta me 65 përqind të popullsisë së Bashkimit Evropian, dhe ky është versioni më optimist i mundshëm për Kosovën”, ka thënë ai.
Mirëpo sipas Mazrekut, në cilin do rast katër shtete mund ta përdorin një mekanizëm i cili quhet mekanizmi i minorancës bllokuese dhe ky mekanizëm nënkupton që katër shtete që janë ekuivalente apo paraqesin 35 për qind të popullsisë së BE-së.
“Skenari i mundësh për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën është pesë shtete që nuk e kanë njohur pavarsine e Kosovës, nënkuptohet që këto pesë shtete mund ta përdorin mekanizmin e minorancës bllokuese por që nuk paraqesin 35 përqind të popullsisë së BE-së. Por fatkeqësisht ka shtete që e kanë njohur Kosovën por që nuk janë në favor të një vendimi pozitiv për Kosovën”, ka thënë ai.
Mazreku ka shtuar me tej se në cilin do rast mungesa e këtyre pesë njohjeve nga shtetet e BE-së, e dekompozon çfarëdo raporti normal me Kosovën apo prejudikimi politik për Kosovën është i pa mundshëm të parashikohet sepse na kemi vetëm qëndrim të shteteve lidhur me këtë çështje e cila as nuk mund të predikohet e as parashikohet. (Indeksonline)