Pas hetimeve intensive, hetuesit policor të Stacionit policor, Ferizaj, kanë arritur që të identifikojnë katër persona të dyshuar për kryerjen e shtatë veprave penale vjedhje e rëndë, raste të ndodhura gjatë muajit janar 2020 në fshatrat Balaj dhe Neredime, KK Ferizaj.
Hetuesit policor gjatë zhvillimit të procedurës hetimore, kanë siguruar prova të mjaftueshme lidhur me kryerjen e këtyre veprave penale.
Të dyshuarit, L.G. (m/sh/k 19 vjeç), E.R. (m/sh/k 21 vjeç), F.SH. (m/sh/k 20 vjeç ) dhe një person i mitur,në bashkëveprim, me forcë kanë depërtuar në shtëpitë dhe lokalet e viktimave duke vjedhur mjete të ndryshme pune, amvisërie, një pushkë gjuetie etj.
Gjatë hetimeve janë gjetur dhe konfiskuar sendet e vjedhura ,të cilat pas përfundimit të procedurave ligjore, do të ju kthehen pronarëve.
Gjatë intervistimit dhe në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit kanë pranuar në tërësi veprat e kryera.
Ndaj tre të dyshuarve, në konsultim me prokurorin e shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar në procedurë të rregullt.