Vjen i nxehti nga Afrika

Prishtinë | 09 Gus 2019 | 02:32 | Nga Ekonomia Online

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në dy ditët në vazhdim moti do të jetë me diell.

Sipas njoftimit, masat e nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika Veriore, vetëm sa janë duke u fuqizuar duke e mbajtur grafikun e temperaturave maksimale njëjtë me ditët e fundit.

“Kjo gjendje termike ka përfshirë edhe vendet fqinje, si Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe pjesët tjera të Evropës Juglindore”, thuhet në njoftim.

Sipas Institutit, derisa të enjten maksimalet arritën në 33-35 gradë Celsius, fundjava dhe fillimi i javës së ardhshme parashihet të jetë edhe më e nxehtë, por jo me temperatura sikur u regjistruan në Francë dhe disa vende tjera të Evropës.

“Temperaturat minimale gjatë këtyre dy ditëve do të mbeten konstante me ditët e fundit. Minimalet ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-35 gradë Celsius”, thuhet tutje në njoftim.

Shtypja atmosferike mbetet mbi vlerat e normales. Indeksi UV në kufijtë e rrezikut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja dhe jugperëndimi.

Kushtet biometeorologjike nuk do të jenë të favorshme për asnjë shtresë të popullatës, që nënkupton se shmangja nga rrezet e diellit nga ora 9-17 do të ishte e preferueshme.

Të ngjashme