Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të institucioneve kompetente kroate, mbi 7 mijë punëtorë të profesioneve të ndryshme nga Kosova kanë punuar përkohësisht në Kroaci.
Më së shumti punëtorë të angazhuar në këtë vend nga shtetet e rajonit, kishte nga Bosnja e Hercegovina, pastaj nga Serbia, nga Kosova dhe fare në fund nga Shqipëria.
Sipas të dhënave, bie në sy rritja e madhe e numrit të punëtorëve nga Nepali, të cilët për nga numri i kanë tejkaluar punëtorët nga Shqipëria të angazhuar në këtë vend. Në vitin e kaluar, punëdhënësit e këtij vendi kanë pasur lehtësime të ndjeshme për punësimin e punëtorëve të huaj, sepse vjet është hequr norma e ashtuquajtur kuota.
Për ta fituar lejen e punës, për disa punë (profesione) nuk ka qenë e nevojshme as marrja e mendimit të Entit kroat për punësim. Punëtorët për pastrimin e dhomave dhe apartamenteve, krahas shërbimeve të ushqimit dhe të pijeve, gjatë sezonit turistik, vjet kanë qenë më të kërkuarit në Kroaci.
Sidoqoftë, ka kohë që në Kroaci ndihet mungesë e fuqisë punëtore. Në këtë shtet kanë nisur të vijnë punëtorë, madje edhe nga Filipinet.
Punëdhënësit edhe më tutje i shqetësojnë procedurat goxha të komplikuara dhe të stërgjata që aplikohen edhe më tutje në Kroaci me rastin e punësimit të punëtorëve të huaj.