Vjosa Osmani “harroi” ta përmend sakrificën dhe gjakun e derdhur

Prishtinë | 22 Sht 2019 | 23:09 | Nga Liri Loshi

Nëse dikush e evitoi luftën me mençuri, kjo nuk do të thotë se edhe e fitoi atë me mençuri, sepse luftën e fitojnë apo e humbin ata që e bëjnë dhe jo ata që nuk e bëjnë, ose e evitojnë! Sepse, në fakt, lufta jonë u pa që mundej vetëm të shtyhej, por jo edhe të evitohej. Ata që e bënë luftën, e bënë me vetmohim dhe sakrificë dhe një gjë e tillë nuk bën asnjëherë të harrohet.

Problemi me Vjosa Osmanin nuk ishte se ajo potencoi mençurinë dhe miqësinë si meritore për fitoren tonë, por pse ajo “harroi” ta përmend edhe sakrificën dhe gjakun e derdhur të deshmorëve dhe të viktimave të luftës.

Vendosmëria për te derdhur gjak që kishte synim lirinë dhe për ta kallur Ballkanin flakë si pasojë e këtij konflikti, pozicionuan NATO-n në anën tonë. Pra, në njërën anë ishte e drejta jonë dhe vendosmëria për ta realizuar atë të drejtë me çdo çmim dhe, në anën tjetër, ishte vendosmëria për ndëshkim deri në gjenocid nga Millosheviçi, i përpjekjes sonë titanike për të drejtën tonë. Dhe, në një situatë të tillë, bota e civilizuar, që për fat është edhe botë e fuqishme, zgjodhi anën e së drejtës, pra zgjodhi anën tonë.

Pa NATO-n, mbase edhe mund të fitonte ndëshkimi serb mbi ne, por përderisa e drejta dhe vendosmëria e realizimit të saj ishin në anën tonë, një fitore eventuale e armikut, do të ishte e përkohëshme, por jo e sigurtë, as e plotë. Prandaj, ajo që njerëzit (pacifistët) nuk arrijnë ta kuptojnë, është se, në përspektivë, me NATON a pa të, fitorja do të ishte e jona. Edhe njëmijë vjet sikur të bënim dua për të na u hequr qafesh Serbia, përsëri atë do ta kishim mbi qafë dhe NATO nuk do të vinte pas lutjeve tona!

Si përfundim, lirinë e fituam me luftë dhe mençuri. Mençuria kryesore nuk konsitonte në evitimin e luftës, por pikërisht në fillimin e saj në momentin e duhur dhe në vendosmërinë e patundur për të qëndruar deri në fund. Ata që thonë luftën e fituam me miq, nuk e kuptojnë rolin e SHBA-së si gardian i paqes dhe prosperitetit, në rend të parë të botës demokratike që i përket asaj dhe si gardian i çdo vendi tjetër që ka potencial për ta rrezikuar këtë botë përmes krizës së saj. Natyrisht, se në situata të tilla krijohen edhe miqësi, por ato bazohen në interesa të ndërsjella dhe jo në kiminë mes individëve të caktuar. Nëse dikush ka dëshirë këtë ta konkretizojmë me emra, atëherë më duhet të them se për Amerikën në kontekstin politik mbetën njësoj të rëndësishëm si Ibrahim Rugova dje, si Hashim Thaçi sot, si Albin Kurti nesër, apo kushdo tjetër që në një moment përfaqëson vullnetin e sovranit dhe interesin e vendit të vet.

Nēse fëmijëve tanë dhe kujtdoqoftë i japim një shpjegim tjetër, do të dëshmojmë se ishim një popull që nuk pati dinjitet, as nuk pati kauzë.

Nuk e kuptoj kujt i duhet mohimi i vlerave të veta që janë vlera reale, me të cilat edhe ai, apo ajo vetë bëhet pjesë e historisë kombëtare në veçanti dhe pjesë e historisë njerëzore në përgithësi!

Të ngjashme