Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë, Vlora Hyseni, ka takuar zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).
Ky takim në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik mes të dyja vendeve.
Në takimin me znj.Tulsi Gabbard, Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA, u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve tona.
U shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon.
Në takimin me z. John Ratcliffe, Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA, u diskutuan një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh, ku u theksua partneriteti i shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta.
U shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës.
Vizita në SHBA dëshmon përkushtimin e agjencive respektive për të mbështetur me inteligjencë cilësore dhe paralajmëruese autoritetet e vendimmarrjes strategjike të dy vendeve, për të garantuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
