Vodhën një tavolinë në kishën në Janjevë, dy të akuzuarit dalin para gjykatës

Prishtinë | 22 Shk 2022 | 12:50 | Nga Ekonomia Online

Të akuzuarit për vjedhjen e një tavoline të lashtë në kishën “Stevi Nikola” në Janjevë, Nikoll dhe Çlirim Gashi, të martën e kundërshtuan aktakuzën së bashku me provat që gjenden në të gjatë shqyrtimit të dytë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

I akuzuari Nikoll deklaroi se, qëndron pranë deklaratës së tij që ka dhënë në shqyrtimin fillestar, që nuk e ndien vetën fajtor, duke shtuar se e kundërshton aktakuzën dhe provat në të.

Të njëjtin deklarim thuajse e ka bërë edhe i akuzuari i dytë Çlirim, ku ka thënë se e qëndron pranë deklaratës së tij së dhënë në shqyrtimin fillestar, me ç’rast gjykatës i ka propozuar që të vërtetohet gjendja faktike me prova në seancat e radhës pasi siç ka thënë ai aty ka pasur edhe të mitur që janë të dyshuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, prokurori Bekim Kodraliu ka deklaruar se, qëndon pranë aktakuzës ngase e sipas tij, e njëjta është e hartuar në bazë të dispozitatve ligjore dhe e mbështetur në prova të ligjshme dhe bindëse me të cilat vërtetohet fajësia e të pandehurve, andaj gjykatës i propozoi që të vazhdojë me administrimin e provave.

Ndryshe, gjykatësi Selman Salihu në fillim të seancës, i ka njoftuar palët në procedurë se të akuzuarit në afatin ligjor nuk kanë parashtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Mbi bazën e deklarimeve të dhëna në këtë shqyrtim të dytë, gjykatësi Salihu të njëjtin e konsideroi të përfunduar, ndërsa seanca e shqyrtimit gjyqësor u caktua më 13 prill 2022.

Salihu tha se me thirrje të rregullt do të ftohen, i dëmtuari- dëshmitari Matej Paniq dhe dëshmitarët Nikolla Qolakiq dhe Mjedi Shabani.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 gusht 2018, ka ngritur aktakuzës kundër të pandehurit Nikoll Gashi dhe Çlirim Gashi, të cilët po i ngarkon më veprën penale të “Vjedhjes së rëndë”.

Sipas aktakuzës të njëjtit, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme dhe vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, në bashkëkryerje edhe me të miturit M.Sh dhe P.G më 22 nëntor 2013, rreth orës 2:00 pas mesnate, në kishën katolike “Sveti Nikola”, në Janjevë, Komuna e Lipjanit, kanë hyrë në kishë dhe nga aty kanë vjedhur një tavolinë të rrumbullakët e cila ndodhej brenda kishës.

Në aktakuzë thuhet se tavolina në fjalë shërben për ujin e shenjtë të bekuar të besimtarëve, e që ishte dhuratë për këtë kishë që nga kohët e lashta.

Tutje sipas aktakuzës, të miturit M.Sh dhe P.G, ndaj të cilëve është veçuar procedura, kanë bërë roje duke u krijuar kushte të pandehurve që ta kryejnë vjedhjen, për çka si shpërblim kanë marrë nga 20 euro.

Me ç’rast kishës katolike “Sveti Nikola” në Janjevë, i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këtë, ata ngarkohen se kanë kryer veprën penale të “Vjedhjes së rëndë ” nga neni 327, paragrafi 2 nën paragrafi 2.3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shenim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme