Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon, konsideron se sfidat ekonomike e politike që e presin Kosovën kërkojnë gatishmërinë e të gjitha forcave politike për ta kaluar një situatë të tillë.
Në një përgjigje për KOHËN, ajo ka thënë se për shkak të shqetësimeve politike të vazhdueshme që lidhen me pandeminë dhe zgjedhjet e parakohshme, Kosova po përballet me një fazë të jostabilitetit ekonomik e politik. E që, sipas saj, në një të ardhme të afërt, vendi duhet të përpiqet për të kundërtën e asaj që po ndodh.
“Sfidat ekonomike që presin para do të kërkojnë gatishmërinë e të gjitha forcave politike për kompromise që të alokohen fonde dhe të sjellin të gjitha investimet për të modernizuar vendin. Për këtë arsye, nevoja për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, nepotizmit dhe kapjes së shtetit, është ndër prioritetet më të larta”, ka thënë ajo.
Kosova gjendet në hapat përgatitorë për zgjedhjet e parakohshme, të cilat vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetueses për rrëzimin e Qeverisë, pasi vlerësoi antikushtetuese votën e deputetit Etem Arifi. Sipas Von Cramonit, do të jetë interesant të shihet se çfarë pasoja politike do të sjellë ky vendim.
Madje, ajo ka ngritur dyshimet se çfarë do të ndodhë gjithashtu edhe me Marrëveshjen e Washingtonit mes Kosovës e Serbisë, që u arrit gjatë Qeverisë Hoti dhe e cila u prezantua si listë zotimesh mes dyja vendeve.
Por, megjithatë, ajo thekson se si për BE-në e po ashtu edhe SHBA-në është e rëndësishme që në Kosovë të kenë partnerë të besueshëm.
“Për BE-në ashtu si edhe për Administratën e SHBA-së do të jetë shumë e rëndësishme të gjejnë partnerë politikë të besueshëm në Prishtinë. Ky është faktor kyç për hapat e tjerë drejt integrimit të Kosovës në BE”, ka thënë ajo.
Sot zyrtarisht duke publikuar aktvendimin e plotë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Qeverinë Hoti duke vendosur se vota e deputetit Etem Arifi, që ishte i dënuar me vendim të prerë gjyqësor, ishte e pavlefshme. Kushtetuesja ka dërguar vendin në zgjedhje që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë që nga dita e shpalljes së tyre. Kjo ka bërë që Qeveria Hoti të mbetet në detyrë.
Kosovës i duhet qeveri që ka shumicë për ta kaluar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë
Von Cramoni konsideron se është shumë më e lehtë për të gjitha palët nëse Kosova do të ketë Qeveri, e cila nuk është e brishtë. Ajo ka thënë se vendit i duhet një Qeveri, e cila zgjat më shumë se disa javë apo muaj.
E në anën tjetër, ajo thotë se Qeveria e cila del nga zgjedhjet duhet të jetë në gjendje të ketë një shumicë stabile në Kuvendin e Kosovës. Një e tillë përveç çështjeve të tjera, sipas Von Cramonit, i duhet edhe për dialogun me Serbinë.
“Dialogu duhet të mbështetet nga Qeveria, shumica në Parlament, si dhe shumica e shoqërisë civile në Kosovë. Për këtë është e rëndësishme që të negociohet me përfaqësuesit e Kosovës që kanë përkrahje të gjerë dhe të fortë në vendin e tyre”, ka thënë ajo.
Ajo shton se për Bashkimin Evropian e natyrisht edhe për njerëzit e Kosovës është e rëndësishme që të zgjidhet një qeveri, e cila ka shumicë për të kryer negociata me BE-në.
“Rruga e Kosovës drejt integrimit në BE do të kërkojë një angazhim të fortë ndaj reformave të brendshme, si dhe vullnet politik për të gjetur një marrëveshje të ndërsjellë me Serbinë”, ka thënë ajo.
Dialogu me Serbinë ende mbetet temë e papërfunduar. Ai pas një pauze rifilloi në vjeshtë, në një takim në Shtëpinë e Bardhë në praninë e ish-presidentit Donald Trump, nga ku dolën me një listë zotimesh të dyja shtetet. E pas kësaj u mbajtën edhe disa takime të tjera në nivel ekspertësh e po ashtu edhe mes kryeministrit Avdullah Hoti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, porse marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve duket të jetë e largët. Të dyja qeveritë vazhdojnë të mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta, pasi Vuçiqi potencon se nuk do ta njohë Kosovën, e pala kosovare thotë se s’do të ketë marrëveshje përfundimtare pa njohje të ndërsjellë.
“Liberalizimi i mundur këtë vit, por jo çështje e garantuar”
Raportuesja për Kosovën ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Ajo ka thënë se ky proces është çështje e mjerueshme.
E pyetur nëse ka ndonjë lëvizje pozitive që Kosova të marrë liberalizimin e vizave këtë vit, ajo ka thënë se është në dorën e Këshillit Evropian që të japë dritën e gjelbër.
“Ne të gjithë besojmë se kjo do të ndodhë gjatë vitit 2021. Ka disa indikacione që kjo mund të ndodhë, por natyrisht nuk ka garanci.
Von Cramoni thotë se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë parë që është e mundur. Por, sipas saj, në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian ka ende ngurrim dhe do të ishte shumë e dobishme nëse ato do të binden për vullnetin e vërtetë të Kosovës për t’u reformuar.
“Grupet e reja punuese bilaterale të formuara në Francë do të ndihmojnë që të kompletohet ky proces”, ka thënë ajo.
Gjasat që çështje të liberalizimit të vizave të ketë çfarëdo lëvizje gjatë gjashtë muajve të para të vitit 2021 janë të pakta. Kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, përmes një statusi në Facebook një ditë më herët.
Kjo, sipas tij, jo sepse Portugalia nuk do ta mbështetë këtë çështje, por sepse Kosova nuk i ka bindur disa shtete skeptike se e kemi njëmend luftën kundër korrupsionit, dhe se lëvizja e lirë vazhdon të jetë çështje delikate brenda BE-së, në veçanti nën rrethanat e imponuara nga pandemia.