Von der Leyen: 1 miliard euro mbështetje për energjinë

Prishtinë | 06 Dhj 2022 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, vlerësoi mikëpritjen e bërë në Tiranë nga kryeministri Edi Rama për samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen preku sektorin e energjisë si një ndër temat më të rëndësishmeqë u diskutuan në takimin e liderëve europianë. Për këtë tha se KE-ja ka një paketë prej 1 miliard Euro mbështetje për Ballkanin që është e ndarë në dy pjesë.

“Një temë madhore është që ne dëshirojmë të përballemi me sfidat që vijnë jo vetëm nga kjo luftë që ka nisur Rusia në Ukrainë por edhe  një nga pasojat e saj që ka të bëjë me sektorin e energjisë. Për ne është e rëndësishme që së bashku me miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor ne përballemi me këtë sfidë së bashku, në mënyrë të tillë, ku ne reflektojmë gjithçka që do bëjmë ne në BE, reflektohet edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Për shembull fakti që familjet dhe bizneset këtu do të kalojnë po aq vështirë sa do të kalojmë edhe ne për ne është e rëndësishme që të japim zgjidhje të njëjta, prandaj kjo paketë prej 1 miliard Euro për mbështetje për sektorin e energjisë është e ndarë në 2 pjesë. 500 mln Euro mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore, e cila jep mundësinë në mënyrë që në formë të shënjestruar t’i jepet ndihmë familjeve në nevojë si dhe bizneseve në nevojë. Ndërsa gjysma e dytë, 500 mln të tjera euro janë mbështetje për infrastrukturën në mënyrë që të bëhet e pamundura që të bëhen investime për energjinë e së ardhmes sepse energjia e së ardhmes është energjia e rinovueshme, është më pak e kushtueshme, më e gjelbër për planetin dhe prodhohet këtu në vendet tona. Jep dhe vende të reja pune dhe krijon pavarësinë nga varësia që ka qenë e mëparshme. Ne dje gjithashtu miratuam 6 projekte të ndyrshme që shkojnë nga fermat fotovolkaike, fermat e energjisë me erë dhe rehabilitimi i hidrocentraleve”, tha Presidentja e KE.

Sipas Von der Leyen, plani ekonomik i investimeve po funksion dhe po ecën në drejtimin e duhur. Po ashtu, ajo siguroi gjatë konferencës për shtyp ku gjendej krah Edi Ramës dhe Charles Michel, se Komisioni Europian mbështet procesin e zgjerimit dhe të integrimit në BE të rajonit.

“Ju siguroj që ne tërësisht dhe me zemër mbështesim procesin e zgjerimit dhe të integrimit të rajonit. Kemi parë këtë vit progres. Shikojmë një lëvizje të re në këtë proces. Ka qenë hap historik për çeljen e negociatave”, u shpreh Von der Leyen.

Të ngjashme