Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha më 1 dhjetor se është koha që Bashkimi Evropian të mendojë rreth vaksinimit të detyrueshëm kundër koronavirusit.
“Si mund të nxisim dhe të mendojmë potencialisht rreth vaksinimit të detyrueshëm brenda Bashkimit Evropian? Kjo kërkon diskutim dhe qasje të përbashkët. Por, mendoj se ky është diskutim që duhet të zhvillohet”, deklaroi ajo në një konferencë për media.
Në anën tjetër, çështja e shëndetësisë është përgjegjësi ekskluzive e secilit shtet anëtar të BE-së. Dhe kjo ishte hera e parë që dikush nga zyrtarët evropianë nxitën debat rreth vaksinimit të detyrueshëm.
Përpos Austrisë, asnjë shtet tjetër deri më tani nuk ka imponuar vaksinimin e detyrueshëm, marrë parasysh se fjala është për çështje të ndjeshme që shkakton debat të ashpër në opinion.
Vetëm për shkak të futjes në përdorim të të ashtuquajturave certifikatave për COVID-19, në disa shtete evropiane pati protesta të dhunshme dhe trazira.
Në anën tjetër, presidentja e Komisionit Evropian konfirmoi që deri në mars të vitit 2022, BE-ja do të pranojë edhe 360 milionë doza shtesë të vaksinës Pfizer dhe Moderna kundër koronavirusit.
“Kështu do të mundësohet që të gjithë evropianët të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19”, njoftoi ajo.
Sipas Von der Leyen, BE-ja arriti marrëveshje me kompaninë Pfizer/ BioNTech që të përshpejtohet prodhimi i vaksinave për fëmijë, që do të duhej të ishin të qasshme nga 13 dhjetori i këtij viti.
Agjencia evropiane për Barna (EMA) miratoi vaksinimin e fëmijëve nga mosha 5 deri në 11 vjeç të kompanisë Pfizer/BioNTech./ REL