Von der Leyen: Evropianët duan të ndërtojnë të ardhmen duke përmbushur premtimet e së shkuarës

Prishtinë | 09 Maj 2022 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me rastin e Ditës së Evropës, ka mbajtur “Konferencën për të Ardhmen e kontinentit”, duke thënë se evropianët kanë treguar se duan të ndërtojnë një të ardhme më të mirë, duke përmbushur premtimet më të qëndrueshme të së shkuarës.

“Premtimet e paqes dhe prosperitetit, drejtësisë dhe përparimit”, ka thënë ajo në konferencën e së hënës para zyrtarëve evropianë.

Von der Leyen fjalimin e saj e ka orientuar nga rreziku që Rusia është duke paraqitur së fundmi për ricaktimin e vijave kufitare.

“Për Evropën, kujtesa e së kaluarës sonë ka krijuar gjithmonë të ardhmen. Më e rëndësishmja tani është që në kohën kur e pamendueshmja është rikthyer në kontinentin tonë, ndalesat flagrante të Rusisë për ndryshimin e hartave dhe për të rishkruar edhe pjesën më tragjike të historisë sonë, na kanë kujtuar rrezikun e humbjes së kontrollit të të dyjave, të kaluarës dhe të ardhmes tonë”, ka thënë ajo.

Von der Leyen ka shtuar se kjo konferencë tregon qartë se prioriteti i këtij blloku është vizioni i një Evrope me diversitet të plotë, një Evropë që ka një kapacitete të fortë për të aktivizuar vlerat e saj.

“Evropa duhet të luajë një rol më të madh në fushën e shëndetësisë apo të mbrojtjes pas përvojës në këto dy vitet e fundit. Do të jem gjithmonë në anën secilit që punon për ta bërë Evropën të funksionojë më mirë”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian duke shtuar se demokracia nuk ka dalë nga moda.

Sipas saj, ky është imazhi për të cilin duhet të festohet 9 maji.

“Një imazh shumë më i fuqishëm se çdo ushtri që shkon lart e poshtë në Moskë, derisa ne këtu flasim”, ka shtuar ajo, duke iu referuar paradës të së hënës në Moskë për Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Fjalën e saj në këtë konferencë, Von der Leyen e ka përmbyllur me mesazh për qytetarët ukrainas.

“Këtë mëngjes shkëmbeva një video-mesazh me presidentin Zelensky. E ardhmja dhe demokracia e Evropës është gjithashtu e ardhmja dhe demokracia e Ukrainës. Si arkitektë dhe ndërtues të Evropës, faqja tjetër tani është shkruar nga miqtë ukrainas, jo vetëm për ata por për të gjithë ne”, tha ajo.

Të ngjashme