Presidentja në ardhje e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kishin bërë “përpjekje të jashtëzakonshme”.
Hapja e rrugës e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt hyrjes në BE është “me një rëndësi të madhe strategjike” për bllokun, tha ajo të premten, njofton Klan Kosova.
Komentet e presidentes së zgjedhur të Komisionit Europian, që u dhanë për gazetarët në Berlin pas pas një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel ishin një vërejtje e qartë për presidentin francez Emmanuel Macron, i cili muajin e kaluar ishte në krye të kundërshtimit ndaj vendimit për të filluar negociatat e zgjerimit, shkruan Politico.
“Unë besoj me vendosmëri se është me rëndësi të madhe strategjike për ne që të lidhim Ballkanin Perëndimor sa më shumë të jetë e mundur me Bashkimin Evropian”, tha von der Leyen.
“Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur pikën që u kemi kërkuar atyre të arrijnë,” vazhdoi ajo, duke theksuar se ajo do të kërkojë mjete alternative për të forcuar lidhjet me këto vende.
“Për sa kohë që nuk është e mundur të hapen bisedimet e pranimit … Unë do të vë tërë energjinë time në zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do t’i lidhin gjithnjë e më shumë këto vende me ne përmes bashkëpunimit të ngushtë”.
“Nëse nuk e bëjmë këtë, të tjerët do të bien në një boshllëk dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë”.
Duke folur pranë von der Leyen, Merkel tha që ajo e konsideron “jashtëzakonisht të rëndësishme, për interesat strategjike europiane, që këto vende të mos humbasin shpresën në perspektivën e pranimit. Gjithashtu kjo ishte “shumë e lidhur” me çështjen e migracionit”, shtoi kancelarja, duke aluduar në faktin se shumë refugjatë kanë hyrë në BE në vitet e kaluara përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor.
Duke trajtuar temën e migracionit, von der Leyen tha se ajo synon të paraqesë në tremujorin e dytë të vitit të ardhshëm Paktin e ri të Migracionit për Azil, të cilin ajo e kishte njoftuar në fjalimin e saj të parë para Parlamentit Europian në korrik.
“Qëllimi ynë duhet të jetë … të jemi një rol model në botë për mënyrën sesi migrimi mund të menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme, me një qasje humane, por edhe në mënyrë efektive. Dhe unë jam e bindur plotësisht se Bashkimi Europian mund ta bëjë këtë”.
Merkel tha se Gjermania ishte në favor të planeve të migracionit të von der Leyen, të cilat nuk janë specifikuar akoma: “Sigurisht, do të japim mbështetjen tonë pozitive për propozimet e reja”.