Vonohet projekti për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B”

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Këto ditë, zyrtarë të KEK-ut i kanë thënë Buletinit Ekonomik, se intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve, do të nisin, gjithsesi, sivjet. Ky është parakusht i domosdoshëm për t’u plotësuar për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B. Ndërsa, vendosja e elektrofiltrave, sipas të gjitha gjasëve do të fillojë definitivisht më 2024.

Pas shumë analizave të bëra nga ekspertë të KEK-ut, është vlerësuar dhe konstatuar se Termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre ( rreth 40 vjet në prodhim të pandërprerë) mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem, nëse u bëhen ca riparime të domosdoshme. Sipas ekspertëve, me dy- tre projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet. Me saktësisht, po qe se bëhen pa vonesa të mëdha riparimet e planifikuara, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045.

Ka dominuar, gjithsesi, pikëpamja e ekspertëve se për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit, në Kosovën B, fillimisht duhet të vendosen elektrofiltrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë. Me instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne, dhe fjala e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër dhe relativisht i amortizuar. Ishte planifikuar dhe paraparë nga ekspertët, që në kuadër të projektit të instalimit të elektrofiltrave, po ashtu të bëhet edhe ripërtritja dhe vendosja e stabilimenteve të reja të transportit të brendshëm të hirit, dhe projekti i ashtuquajtur i DeNOx-it në kaldatë e termocentraleve B1 dhe B2. Bëhet fjalë për ndërhyrje riparuese dhe ripërtëritëse në stabilimentet e procesit të djegies për t’i reduktuar gazrat e liruara nga linjiti. Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtij projekti kompleks rivitalizues në Kosovën B ishte siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019.

Më saktësisht kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqeuesve të BE-së është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Europian nëpërmes fondeve IPA.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes IPA III ndërmjet Kosovës dhe BE-së, në vlerë 64 milion euro, në vjeshtën e vitit 2022, kishte thënë saktësisht se Projekti i ndërrimit të filtrave në termocentralin Kosova B, është shtyrë disa herë dhe se pritet të fillojë zbatimin në vitin 2024.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka nënshkruar marrëveshje me ambasadorin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerë prej 63.96 milion euro. Siç dihet tashmë, projekti për ndërrimin e elektrofiltrave ishte planifikuar të fillojë në muajin qershor të vitit 2020 në bllokun B1, ndërsa më 1 mars të vitit 2021 në bllokun B2. Por, siç theksojnë në KEK, për arsye të pandemisë që në këtë periudhë përfshiu edhe Kosovën, ky afat u shty saktësisht për një vit. Kjo do të thoshte se në njësinë B1 të Kosovës B, punët në projektin për instalimin e elktrofiltarve të nisin më 1 mars 2021, kurse në B2 me 1 mars 2022.

Dhe edhe ky afat, edhe pse ishin të siguruara pjesa dërmuese e mjeteve të nevojshme financiare nga BE-ja, u shty sërish për vitin pasues. Tashmë pos pandemisë, si shkaku për shtyrjen e sërishme zyrtarët e KEK-ut apostrofojnë edhe nevojën për intervenime-riparime shtesë në kazan (dilatimeve ). Dhe tani, pas kësaj shtyrjeje të tretën me radhë, planifikohej që më në fund nisja e punëve për implementimin e projektit për vendosjen e elektrofiltarave në bllokun B2 të fillojë më në muajin prill të vitit 2023, ndërsa kjo punë në B1 të nis në prill të 2024-tës.

Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve kanë një kosto goxha të kushtueshme për KEK-un dhe mjetet e parapara si të nevojshme për këto riparime- diku rreth 20 milionë euro) duhet t’i sigurojë vet KEK-u.

“KEK-u me rishikim të buxhetit ka dedikuar rreth 11 milionë euro për projektin e dilatimeve (riparimet shtesë në kazanët e Kosovës B), dhe tashmë është inicuar kërkesa për këtë investim”, kanë theksuar kohë më parë për Buletinin Ekonomik, zyrtarë të KEK-ut.

Këto ditë, zyrtarë të KEK-ut i kanë thënë Buletinit Ekonomik, se intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve, do të nisin, gjithsesi, sivjet. Ky është parakusht i domosdoshëm për t’u plotësuar për të filluar implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B. Dhe punët rreth riparimit të nevojshëm të kazanëve, praktikisht, do të thotë nisja e impementimit të mbarë projektit për vendosjen e elektrofiltrave në Kosova B. Ndërsa, vendosja e elektrofiltrave, sipas të gjitha gjasëve do të fillojë më 2024.

Fillimisht do të bëhet zëvendësimi në njërin bllok, ndërsa që gjatë kohës sa do të zgjatë zëvendësimi i elektrofiltrave do të operojë, respektivisht do të jetë në prodhim blloku tjetër, deri sa t’i vie radha për t’ia nisur punës për t’i vendos elektrofiltrat edhe në te. Kjo do të bëhet me qëllim që mos të ndërprehet prodhimi në të dy blloqet gjatë kohës sa do të zgjatë vendosja e elektrofiltrave. Por, sido që të jetë, Kosova do të ketë më pak një sasi goxha të madhe të energjisë, ose diku rreth 260 megavatë-orë, aq sa është kapaciteti i blloqeve të Kosova B, veç e veç, gjatë tërë kohës sa do të zgjasin punët në vendosjen e elektrofiltrave në këto termocentrale.

Dhe, për këtë mungesë të energjisë, duhet menduar që tani, respektivisht duhet të mendohet se si do të kompenzohen mungesat e rrymës në periudhën sa do të zgjatë implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B. Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosova B do t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut. Në KEK, ishte paraparë dhe planifikuar të realizohet në të ardhmen edhe një projekt tjetër revitalizues në stabilimentet e Kosovës B, i veçuar nga Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave. Projekti që është në vizion të strukturave drejtuese të KEK-ut, i ashtuquajturi FDG (SOX) ka të bëjë me ndërrimin e impiantit të nevojshëm për reduktimin e SOX. Parashihet që ky projekt të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe të vihet në funksion, pra të kryhet si projekt më 1 janar 2028. Tash për tash është në proces të përgatitjes dhe është futur në procedurat shqyrtuese të BE-së.

Të ngjashme