VORAE kërkon që të shmanget përdorimi i termit “RAE” për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian: Secili ka identitetin, historinë dhe kulturën e vet

| 14 Nën 2024 | 12:31 | Nga

Organizata “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” ka kërkuar që të shmanget përdorimi i termit “RAE” në raportimet lidhur për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, duke theksuar se secili prej këtyre komuniteteve ka identitetin, historinë dhe kulturën e vetë, raporton Ekonomia Online.

Reagimi i tyre vjen pas raportimeve lidhur me rastin e therjeve në Ferizaj të hënën, ku katër viktimat ishin të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Në reagimin e kësaj organizate thuhet se përdorimi i emrave të veçantë të këtyre komuniteteve, ndihmon në zvogëlimin e diskriminimit dhe stereotipeve.

“Lidhur me këtë rast, dhe të gjitha rastet që do ti trajtoni sa i përketë komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, ju lusim që të keni parasysh ndjeshmërinë dhe kujdesin për përdorimin e termave. Në veçanti, ju kërkojmë të shmangni përdorimin e termit RAE”  në shkrimet dhe prononcimet tuaja, pasi: “Secili prej këtyre komuniteteve ka identitetin, historinë dhe kulturën e vet”, thuhet në reagim.

Po ashtu në reagim thuhet se termi “RAE” i bashkon këto tre komunitete në një term të vetëm, duke mos i njohur identitetet e tyre unike dhe duke e bërë më të lehtë që stereotipet dhe paragjykimet të shfaqen si një grup i përbashkët, pa dallime.

Të ngjashme