Kuvendi i Kosovës, pas disa orësh debat, miratoi rekomandimet në lidhje me përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA) nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit të Lartë (EQAR).
Rekomandimet për zgjidhjen e situatës u votuan nga 61 deputetë, një ishte kundër dhe një abstenoi.
Pas debatit parlamentar me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike dhe Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe harmonizimin e tekstit edhe me grupet e tjera parlamentare, u nxorën 7 rekomandime.
REKOMANDIMET:
1. Brenda afatit të ankimimit të ndërmerren të gjitha veprimet e duhura për të kthyer AKA-në si anëtar i rregullt në EAQR.
2. Ministri të raportojë në Kuvend për:
1. Arsyet e shkarkimit të Bordit, duke ofruar informata për Komisionin funksional (në raportim me dyer të mbyllura nëse është e nevojshme),
2. Veprimet që janë ndërmarrë ndaj ish anëtarëve të Bordit për shkeljet e pretendurara që mund t’i kenë bërë ata.
3. Ministri të tërheqë nga Kuvendi për verifikim propozim-vendimin për anëtarë të Bordit.
4. Në afatin prej shtatë ditësh, një ekip pune i përbërë nga të gjitha palët (ekspertë të arsimit, përfaqësues të Ministrisë, përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e arsimit të lartë dhe të tjerë) të përgatisë Udhëzimin Administrativ, që miratohet nga Ministri, i cili udhëzim do të përcaktojë kriteret dhe procedurat transparente për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit.
5. Bazuar në këtë Udhëzim Administrativ, lista e anëtarëve të ri të procedohet në Kuvend për miratim.
6. Kuvendi obligohet që brenda dhjetë ditësh nga dita e dorëzimit të propozim-vendimit nga ana e Qeverisë ta fusë në rend dite për miratim.
7. Kuvendi i rekomandon Ministrit të fillojë hartimin e një propozim-ligji të ri për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë, i cili siguron autonominë e Agjencisë.