“Voyagers” filmi i duhur për ta shikuar në karantinë

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

E ardhmja e racës njerëzore është në rrezik. Prandaj, në përpjekje për ta gjetur një planet të largët për t’u kolonizuar, një grup i përzgjedhur i burrave dhe grave e ndërmarrin një udhëtim të gjatë në kërkim të kësaj të ardhme më të mirë.

Sidoqoftë, këta pasagjerë nuk janë të zakonshëm. Ata janë të gjithë të edukuar për inteligjencë e komfor, dhe në dukje të parë janë krijuar për të mos vënë në dyshim asgjë që shohin ose dëgjojnë, apo asgjë që ata dëshirojnë të bëjnë.

Kur anëtarët e kësaj anije kozmike i zbulojnë disa gjëra shqetësuese për misionin të cilin e kanë ndërmarrë, ata fillojnë të rebelohen dhe t’i eksplorojnë instinktet e tyre bazike njerëzore. Dashuria, seksi dhe ndejat shfrenuese, janë përjetime të reja për këtë grup njerëzish. Dhe kështu, jeta në anije bëhet e padisiplinuar dhe të gjithë banorët e saj duken të sunduar nga frika, pasioni dhe nevoja shqetësuese dhe e pangopshme për pushtet.

Kjo është tema të cilën e trajton filmi i ri me titull “Voyagers”, i cili vjen me skenar dhe regji të Neil Burgerit. Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorët: Tye Sheridan, Lily-Rose Depp, Fionn Whitehead, Chanté Adams, Isaac Hempstead Wright, Archie Madekwe, Madison Hu dhe Colin Farrell.

Pavarësisht se shumë filma planifikohet të shfaqen në ekranet e kinemave nga java e ardhshme, ky lloj i trilerit të ashpër është pikërisht filmi i duhur për ta shikuar në këtë kohë karantine, marrë parasysh se ngjarja e tij zhvillohet në një ambient të mbyllur dhe të izoluar.

Tashmë janë publikuar sekuencat e para të filmit “Voyagers”, i cili fillon së shfaquri nëpër kinematë amerikane nga 9 prilli.

Të ngjashme