Vrasja e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj R.M

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale  “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në Burim të Komunës së Malishevës më 31 mars 1999.

 Në komunikatë për media PSRK ka njoftuar se veprën penale R.M e kishte kryere në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe.

“Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë. R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në komunikatën për media.

I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të  krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Të ngjashme