Pas përfundimit të seancës dëgjimore ndaj Avni Ademajt, mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Kollçaku ka thënë se i dyshuari ishte plagosur nga tani i ndjeri Blerand Kadrijaj.
Për vrasjen e këtij të fundit po dyshohet Ademaj, ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar masën e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Deçanit më 2017 nga radhët e PDK-së, Blerand Kadrijaj kishte mbetur i vrarë mbrëmjen e 8 shtatorit, bashkë me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj. Kurse, i arrestuari Avni Ademaj kishte mbetur i plagosur.
Për këtë të fundit, Prokuroria e Pejës ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, të cilën e ka siguruar ekskluzivisht “Betimi për Drejtësi”. Aty thuhet se ekziston rrezik real i arratisjes së të dyshuarit, e cila do të pengonte zhvillimin normal të hetimeve.
Për shqyrtimin e kësaj kërkese, të premtën është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Pejë, pa prezencë të publikut.
Pas përfundimit të seancës, mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Kollçaku ka thënë se Avni Ademaj kishte shkruar në vendin e ngjarjes dhe kishte gjetur tani viktimat të shtrirë në tokë.
Sipas avokatit, tani i ndjeri Kadrijaj e kishte plagosur të mbrojturin e tij në dorë.
“Klienti im ka ardh në venidn e ngjarjes kur viktimat kanë qenë të shtrirë dhe i ndjeri Kadrijaj e ka gjuajt dhe e ka plagosur në dorë. S’ka dëshmitar okular në vendin e ngjarjes dhe motivet nuk dihen”, tha avokati Kollçaku.
Sipas tij, prokuroria e ka mbështetur dyshimin e bazuar në raporte policore që nuk përbënin provë dhe në disa dëshmitar, siç ishte kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili sipas mbrojtjes nuk ishte dëshmitar okular.
Ndryshe, sipas aktvendimit për fillim të hetimeve të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Avni Ademaj dyshohet se më 8 shtator 2021, rreth orës 20:15 në Pejë, me dashje kishte privuar nga jeta tashmë të ndjerin Blerand Kadrijaj.
Prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale të vrasjes dhe atë të armëmbajtjes pa leje.