Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurores Stojanka Kasaloviq.
Kasaloviq ka qenë prokurore kujdestare më 1 janar kur 48-vjeçarja Lirije Qerimi kishte raportuar në polici dhunën fizike të bashkëshortit të saj Skender Qerimi nga Llausha e Skenderajt.
Ditë më parë kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani, që t’i shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores së rastit të tashmë të ndjerës, Lirije Qerimaj nga Llausha e Skenderajt e cila u vra nga bashkëshorti i saj.
Sot, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton se pas kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Ismet Ujkani, pas analizimit të gjitha shkresave të lëndës dhe konform Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, “sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores S.K., lidhur me rastin e viktimës L.Q., nga Llausha e Skenderajt”.
48-vjeçarja Lirije Qerimaj që u vra të mërkurën në Llaushë të Skenderajt, dyshohet se kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike edhe në të kaluarën, nga i dyshuari bashkëshorti i saj Skender Qerimaj.
Viktima, Lirije Qerimaj, e kishte raportuar dhunën e burrit më 1 janar në Stacionin Policor në Skenderaj, nga ku kishte kërkuar edhe urdhër-mbrojtje.
Por edhe pas raportimit të dhunës në polici, ajo ishte vrarë pesë ditë më vonë.