Një gazetë në Meksikë i ka dhënë fund botimit për arsye të mospasjes së sigurisë së jetës për gazetarët.
Oscar Cantu Murguia, përfaqësues i gazetës Norte që botohej në qytetin Juarez në veri të vendit pranë kufirit me SHBA-të, ka publikuar vendimin në faqen e parë të gazetës.
Në shkrimin e titullar “Lamtumirë”, Cantu ka theksuar se vendimin për mbylljen e gazetës e kanë marrë për shkak se gazetarët në vend janë në një mjedis të pasigurtë dhe për shkak se vrasjet ngelin pa u ndëshkuar.
“Çdo gjë në jetë ka një fillim dhe fund, dhe çmime që duhet paguar. Nëse ky çmim është jeta, unë nuk jam gati që ky çmim të paguhet, as nga unë, e as nga kolegët e mi”, është shprehur Cantu.
Ndryshe gazetarja 54 vjeçare Miroslava Breach ishte vrarë në shtetin Chihuahua më 23 mars para shtëpisë së saj me tetë të shtëna, ndërsa gazetari Ricardo Monlui ishte vrarë me dy të shtëna më 19 mars, në daljen e një restoranti në Veracruz ku kishte shkuar me familjen. Ndërkaq, në shtetin Guerrero, gazetari i lirë Cicilio Pineda Birto, më 2 mars u vra në një autolarje.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në SHBA, ka deklaruar se që nga viti 1992 në Meksikë janë vrarë 38 pjesëtarë të mediumeve për shkak të aktiviteteve gazetareske. Organizata po ashtu ka theksuar se 50 gazetarë të tjerë janë vrarë për shkaqe ende të paditura.