Grupi militant Shteti Islamik (IS) zuri në pritë një grup të paraushtarakëve irakianë, duke vrarë së paku 27 prej tyre.
Sulmi ndodh dy muaj pasi Bagdadi ka shpallur fitore ndaj Shtetit Islamik në gjithë Irakun.
Forca Popullore e Mobilizimit, një grup ombrellë i milicive kryesisht shiite, tha përmes një deklarate se sulmi ka ndodhur në rajonin Havija, rreth 300 kilometra në veri të Bagdadit, derisa paraushtarakët kanë qenë duke bërë disa bastisje.
Sulmuesit kanë qenë të veshur me uniforma të ushtrisë dhe kanë pretenduar se kontrollojnë një postbllok të rremë të sigurisë, thuhet në deklaratë.
Sipas së njëjtës, luftimet kanë zgjatur së paku dy orë dhe disa prej militantëve janë vrarë, ndërsa të tjerë janë larguar.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Shteti Islamik përmes një deklarate që transmetoi agjencia e tij e lajmeve Amaq.
Iraku, në muajin dhjetor, ka shpallur fitore ndaj Shtetit Islamik në gjithë Irakun, pas më shumë se tre vjet luftime.
Por, zyrtarët irakianë dhe amerikanë kanë paralajmëruar se Shteti Islamik do të vazhdojë me sulme të stilit kryengritës.