Trembëdhjetë policë dhe hetues meksikanë janë vrarë në një pritë përderisa po udhëtonin nëpër një rajon rural. Ky është sulmi më i ri në vargun e sulmeve ndaj forcave të rendit nga grupet e fuqishme kriminale.
Tetë policë dhe pesë anëtarë të forcës hetuese policore u vranë në pritën që u organizua në komunën Coatepec Harinas, 125 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Mexico City, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Kjo është fyerje ndaj shtetit meksikan dhe ne do të përgjigjemi me forcë të plotë dhe me mbështetjen e ligjit”, tha sekretari për Siguri, Rodrigo Marinez-Celis. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se policët dhe hetuesit ishin duke udhëtuar për t’i luftuar grupet kriminale.
Rajoni i kryeqytetit meksikan është vendbanim për 15 milionë njerëz dhe përballet me dhunë, grupe të drogës dhe të krimit të organizuar. Sipas një raporti të inteligjencës, vetëm në këtë rajon meksikan funksionojnë 26 grupe kriminale, të cilat luftojnë me njëra-tjetrën për kontroll dhe shpesh i sulmojnë forcat e sigurisë.
Së paku 524 policë meksikanë janë vrarë vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të një organizate joqeveritare. Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, ka premtuar se do ta luftojë dhunën me një qasje më të butë, duke thënë se vendit i nevojiten më shumë përqafime e më pak plumba, por, si duket, kjo qasje nuk po del të jetë shumë e suksesshme.