Vuçiq: Ia kemi hapur dyert Prishtinës për “Open Balkan”, s’mund t’i përgjigjem kësaj pyetje çdo herë

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja janë të mirëpritura t’i bashkohen nismës rajonale “Open Balkan”, derisa tha se s’mund të përgjigjet në pyetjen për Kosovën në secilin takim.

“Ne i kemi hapur dyert Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës. Për aq kohë sa jam president i Serbisë nuk mund t’i përgjigjem të njëjtës pyetje në çdo takim, sepse e kam të vështirë ta bëj këtë e jo sepse kam ndonjë problem ose ndonjë çështje që t’i përgjigjem pyetjes përkatëse”.

“Më duket se të tre ne bashkë me delegacionet tona kemi hyrë në thelbin e problemeve. Ne kuptuam të gjitha problemet dhe shqetësimet me të cilat përballen njerëzit tanë dhe po përpiqemi t’i zgjidhim këto probleme. Kemi shumë punë dhe shqetësime të tjera që të justifikojmë për diçka çdo kohë. Nëse duhet ta bëjmë këtë nuk më shkon mendja t’i justifikohem askujt, as BE-së dhe askujt në rajon. Të gjithë kanë një nismë kaq të pastër dhe kaq të mirë”.

Vuçiq, në konferencën e liderëve të vendeve të “Open Balkan” në Beograd, deklaroi se nuk duhet t’i justifikohet askujt se pse po e bëjnë këtë nismë, njofton Klankosova.tv.

“Nuk do të ishte politikë serioze nëse do të vijmë të justifikohemi çdo herë për të thënë që kjo është pjesë e këtij procesi dhe pastaj të marrim një vlerësim negativ për mësuesit tonë jo. Ne po e bëjmë këtë për hir te qytetarëve tanë dhe për të mirën e tyre, pse duhet të justifikojmë diçka të mirë që ne po e bëjmë? Pse duhet të justifikohemi nëse njerëzit tanë do të kalojnë kufijtë më shpejt sesa që shkojnë tani, që kamionët tonë nuk do të presin 24 ose 48 orë? Pse duhet t’ia shpjegojmë gjithkujt dhe gjithçka? Kur e bëjmë këtë shkojmë te diçka tjetër që na thuhet po presin ata, pastaj ata thonë që nuk duam të bëhemi pjesë për shkak të Vuçiqit ose Ramës. Është okej, sepse nuk e keni për detyrë dhe askush nuk po ju detyron”.

Presidenti serb tha se marrëdhëniet me Kosovën do të zgjidhen me dialogun në Bruksel, duke lënë të nënkuptohet se “Open Balkan” nuk ndërlidhet me këtë.

“Ne do të zgjidhim marrëdhëniet tona me Prishtinën përmes dialogut në Bruksel sepse kemi pikëpamje të ndryshme, por “Open Balkan” në rajon i jep liri njerëzve, sipërmarrësve, siguron shkëmbim më të mirë të mallrave, diskutuam digjitalizimin dhe transformimin e shoqërive tona për të punuar për këtë çështje. Nuk e shoh se pse dikush duhet të jetë kundër kësaj, kush do që të bëhet pjesë është i mirëpritur, kush nuk do është problemi i tyre. Do ta shihni ndryshimin në normën  e rritjes ekonomike midis nesh dhe të tjerëve, por do të kërkojë kohë për rezultate”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme