Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se autoritetet e Prishtinës, me qëllim që të dobësojnë mbrojtjen e veriut të Kosovës, kanë për qëllim që të hënën të arrestojnë policë serbë.
Ai për Radio Televizionin e Serbisë ka deklaruar se ka informata që autoritetet kosovare duan të arrestojnë 26 anëtarë të policisë së Kosovës në veri si dhe 15 persona të tjerë, me qëllim që kjo zonë të mbetet e pambrojtur.
“Ky është një qëllim i ri me pretekstin se ata janë të dyshuar për përfshirje në korrupsion, dhe e shohin këtë si një rast të luftës kundër korrupsionit, dhe qëllimi është që Kosova dhe Mitrovica e Veriut të mbeten të pambrojtura, dhe ata duan ta bëjnë këtë gjë në mënyrën më të pistë”, tha kryetari i Serbisë.
Sipas tij, për këtë qëllim të Prishtinës i ka informuar edhe institucionet ndërkombëtare dhe se “dje personalisht ka zhvilluar disa biseda telefonike”, sikurse tha se ka bërë edhe Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën.