Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, ka thënë se është i obsesionuar me Kosovën dhe se problemi me Kosovën, është më i madhi në karrierën e tij politike.
Në një intervistë për “Financial Times” për karrierën e tij politike, Vuçiq ka pranuar se pa e zgjidhur problemin me Kosovën “gjithçka që ka arritur deri tani, do të ishte e parëndësishme”.
Teksa nga ndërkombëtarët, sipas “FT”, Vuçiq shihet si politikan proevropian, mediumi prestigjioz nuk ka harruar të cekë se Vuçiq e kishte nisur karrierën si ultranacionalist me fjalinë e famshme se “për çdo serb të vrarë, do të vrasim 100 myslimanë”, pas masakrës së Srebrenicës më 1995, dhe faktin se Vuçiq shërbeu si ministër në administratën e Sllobodan Millosheviqit. Megjithatë, më 2018, Vuçiq dhe disa kolegë u ndan nga Vojisllav Sheshel për të formuar Partinë Progresive Serbe.
“Nisni të pyesni veten nëse ato gjëra radikale janë e vetmja gjë për të cilën ja vlen”, ka thënë Vuçiq për të kaluarën e tij duke shtuar se “një tjetër luftë do të shkatërronte Serbinë dhe do të shkatërronte të ardhmen e popullit serb përgjithmonë”.
“FT” shkruan se Vuçiq për të çuar Serbinë në Bashkimin Evropian duhet të zgjedhë problemin me Kosovën. Kjo gazetë pret që sivjet të jetë një test përfundimtar për Serbinë. Sipas saj, Bashkimi Evropian po bën presion që Vuçiq të dalë me një propozim në muajt e ardhshëm për të nisur bisedimet me palën kosovare, ndërsa ka përmendur edhe refuzimin e pesë shteteve të BE-së për njohjen e Kosovës.
Gazeta shkruan edhe se një pjesë e kabinetit të qeverisë serbe ka përkrahur idenë e ndarjes së veriut të Kosovës, por kjo nuk shihet si ide e qëlluar nga Perëndimi. “FT” shkruan se zgjidhja më e mundshme shihet autonomia dhe ndarja e fuqisë në pjesën e dominuar me serbë, si këmbim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, “por edhe kjo do të ishte një hap prapa për shumë serbë dhe do të përballej me refuzime, përfshirë edhe nga Kisha Ortodokse Serbe”.
Në një intervistë me patriarkun serb Irinej, “FT”, thotë se 87-vjeçari i kishte pyetur ekipin e gazetës se a janë britanikë apo amerikanë dhe se a do ta marrin Kosovën nga Serbia.
“Nuk do të dorëzojmë Kosovën me asnjë çmim. Jemi evropianë. Jemi në favor të Bashkimit Evropian, por jo nëse Kosova është çmimi”, ka thënë Irinej.