Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka folur lidhur me deklaratat e tij rreth Millosheviqit në Kosovë.
Ai ka thënë se fjalët e tij nuk ishin glorifikim i Millosheviqit, por kritikë e ashpër ndaj politikës që Serbia e udhëhoqi, teksa sërish ka përsëritur se Millosheviqi ishte lider i madh.
“Mendoj që secili që ka dëgjuar me kujdes, disa gazetarë kishin dëgjuar e disa aspak, mes tjerash, kam folur më së shumti për ne serbët, gabimet e mashtrimet tona dhe rrugën tonë drejt Evropës. Por, fola edhe për domosdoshmërinë në raportet mes serbëve e shqiptarëve. S’kam marrë kurrë më pak duartrokitje, por shumë njerëz thanë se e thashë të vërtetën”.
“Deklarata për Millosheviqin ishte falsifikuar ose s’kanë dëgjuar atë çfarë thashë. E përsëris, Millosheviqi kishte përkrahjen më të madhe, ishte lider i madh por rezultati i udhëheqjes së tij për serbët ishte shumë i keq”, ka thënë presidenti serb, transmeton KTV.
Ai deklaroi se i respekton paraardhësit e tij, duke shtuar se në të shkuarën edhe mund të ketë gabuar.
Vuçiqi ka thënë se nuk ka zgjidhje për çështjen e Kosovës pa Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Rusinë.
Ndërsa, senatori amerikan Ron Johnson ka thënë se SHBA-ja nuk e ka ndërmend të imponojë asgjë sa i përket dialogut mes Prishtinës e Beogradit. Ai ka thënë se zgjidhja u takon dy vendeve.