Vuçiqi thotë se bisedoi me Putinin në Kinë

Prishtinë | 18 Tet 2023 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se e zhvilloi “një bisedë të shkurtër” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, me të cilin, megjithatë, tha se “nuk pati takim dypalësh” gjatë vizitës së tyre në Pekin.

Ai nuk dha hollësi se çfarë kanë biseduar gjatë takimit të martën në kryeqytetin kinez.

Vuçiqi dhe Putini morën pjesë në forumin ndërkombëtar të iniciativës kineze “Belt and Road” në Pekin.

Kjo është hera e parë që ata takohen në të njëjtin vend qëkur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në mars të vitit 2022.

Serbia është në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian, sepse nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Vuçiq dhe Daçiq për marrëveshjet e nënshkruara me Kinën

Vuçiqi tha të martën në Pekin se qytetarët serbë do ta ndiejnë efektin e nënshkrimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Serbisë dhe Kinës.

Serbia dhe Kina nënshkruan një sërë marrëveshjesh më 17 tetor, ndër të cilat më e rëndësishmja është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë.

Vuçiq deklaroi se frutikulturat “do ta kenë më të lehtë të gjejnë tregun e tyre pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje”.

“Qytetarët do të ndiejnë se ekonomia po rritet. Nga kjo jetojmë të gjithë ne, me atë jeton sektori publik. Pagat dhe pensionet varen nga ajo se sa e fortë është ekonomia jonë”, tha Vuçiq.

Të ngjashme