Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kushtëzimi i Beogradit dhe Prishtinës me hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE, ose me marrjen e vizave, nuk është zgjidhje, sepse në këtë mënyrë krijohet atmosferë më e keqe të dy palëve.
Duke folur në një forum në Hamburg të Gjermanisë, Vuçiqi ka thënë se po e sheh se “shumëkush në Perëndim po bëhet gjithnjë e më nervoz lidhur me bisedimet e Beogradit e Prishtinës, më shumë sesa serbët dhe shqiptarët”.
“Nuk e di pse janë kaq të ngutshëm dhe pse dikush dëshiron t’i përshpejtojë proceset?”, ka thënë Vuçiqi, duke u përgjigjur se si e sheh zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kontestin e anëtarësimit të Serbisë në BE, njofton Tanjug.
Ai ka thënë se “debati“ ndërmjet serbëve e shqiptarëve po zgjat qe shumë vite dhe se ai nuk mund të përfundojë me zgjidhje burokratike, por me ndryshim mentalitetit.
“Njerëzit në Beograd, Prishtinë e Tiranë duhet ta kuptojnë këtë dhe ai është proces, kjo nuk mund të ndryshojë për 48 orë, edhe nëse dikush thërret nga Brukseli dhe thotë që të gjitha të zgjidhen për 72 orë ose do të ballafaqoheni me sanksione”, ka thënë Vuçiq.