Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin ka komentuar bisedën e djeshme telefonike në mes të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit malazez, Millo Gjukanoviq.
Vulin në një prononcim për mediat serbe ka thënë se biseda mes tyre është ndjekur me vëmendje nga kartelet e drogës të cilat sipas tij vuajnë humbje të mëdha ekonomike për shkak të kufijve të mbyllur.
Në mesin e temave të bisedës telefonike mes Kurtit e Gjukanoviqit ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi.
Kurti me këtë rast ka deklaruar se është për një dialog të përgatitur mirë e me parime dhe jo për një zgjidhje të shpejtë, nën udhëheqjen e BE-së dhe ShBA-ve, të cilat nuk mund të zëvendësohen apo ta përjashtojnë njëra tjetrën.
Nga ana e tij, Gjukanoviq theksoi se procesi i dialogut me Serbinë është një nga faktorët kyç për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij në BE. Ai u pajtua se nuk ka zëvendësim për BE-në dhe ShBA-të në rajon dhe e siguroi kryeministrin në detyrë Kurti se Mali i Zi do të jetë gjithmonë fqinj i sinqertë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me shtetin e Kosovës.