Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, e krahasoi Kosovën me grupin militant Shteti Islamik në një intervistë të drejtpërdrejtë në Radio Televizionin e Serbisë.
“Kur një shtet i fuqishëm, siç është Franca, ju lejon të blini armët më moderne, kjo do të thotë se ai ka besim në ju. Sisteme të tilla nuk mund t’i gjeni te terroristët në Shtetin Islamik. Ndërsa, Shteti Islamik është më i afërt me atë që bën Prishtina. Prishtina dhe Beogradi – kjo është si krahasimi i Shtetit Islamik me Bashkimin Evropian”, tha Vulin, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Vulin, edhe më herët, ka tërhequr vëmendjen e publikut me deklarata jokorrekte për Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës, ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ka ngritur padi kundër Vulinit për gjuhë të urrejtjes, më 25 qershor.
Mustafa ka thënë se ka ngritur padinë pasi Vulin disa herë i ka quajtur shqiptarët “shiptari”, me një ton nënçmues.
Gjuhë të ngjashme ndaj shqiptarëve kanë përdorur edhe zyrtarë të tjerë serbë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një komunikatë zyrtare të lëshuar gjatë javës së dytë të muajit prill, i ka quajtur shqiptarët me termin ‘shiptari’.