“Serbia nuk do të largohet dhe nuk do të heqë dorë as edhe një pëllëmbë të territorit të saj”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, duke hedhur akuza të rënda ndaj
Policisë së Kosovës se po ndihmon “bandat shqiptare” të kalojnë kufirin nga Podujeva dhe të hyjnë në territorin serb për të vjedhur drunj, njofton Klan Kosova.
“Autoritetet serbe të sigurisë penguan qëllimin e një grupi personash të panjohur, të cilët erdhën nga drejtimi i Podujevës, për të prerë ilegalisht pyllin në Zonën e Sigurisë Tokësore, nën mbrojtjen e personave të armatosur me armë të gjata. Këto ishin banda të organizuara që vinin nga Kosova në territorin e Kurushumlisë”.
Ai akuzoi policinë e Kosovës se po vepron si aleat i tyre dhe shtoi se KFOR vazhdimisht shpjegon se nuk është përgjegjësia e tyre.
“Unë do të doja të ishte vetëm një incident, diçka që ndodhi tani dhe nuk do të ndodhë më kurrë. Për fat të keq, nuk është ashtu, janë banda të organizuara shqiptare që lëvizin nga zona e Kosovës dhe Metohisë dhe presin pyllin. Është një grabitje klasike, por ata janë shumë dhe janë të organizuar dhe pajisur mirë, të gjithë janë të armatosur dhe sapo të vërejnë forcat tona, përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, ata menjëherë hapin zjarr”, tha Vulin.