Ndërtimet pa leje ende po mbesin problemi më i madh i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Vushtrrisë. Kjo drejtori, së bashku me Drejtorinë e Inspeksionit, tashmë kanë identifikuar një mori ndërtimesh pa leje, ndaj të cilëve ditët në vijim do të merren masa të ashpra ligjore.
Kështu u konstatua në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, në të cilin u tha se në kuadër të aksioneve të përditshme për parandalimin dhe rrënimin e të gjitha atyre objekteve që janë ndërtuar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet në fuqi, Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Vushtrrisë do të vazhdojë me aksionin për rrënimin e objekteve të banimit të ndërtuara pa leje ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit.
Fillimisht, Drejtoria e Inspeksionit do të kërkojë nga qytetarët që të furnizohen me lejen e ndërtimit dhe nëse pala nuk zbaton kërkesën brenda afatit të paraparë ligjor, inspektorët e Komunës së Vushtrrisë do të nisin aksionin për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje.
Komuna e Vushtrrisë mbetet e përkushtuar në zbatimin e rendit dhe ligjit, ndërsa nuk do të tolerohet asnjë ndërtim ilegal, u tha në këtë takim,ku u diskutuan edhe shumë çështje tjera me rëndësi.