Komuna e Vushtrrisë po shënon ”Ditët e Hasan Prishtinës”, në nderim të figurës emblemë të historisë kombëtare, Hasan Prishtina, i cili është me prejardhje nga ky qytet, raporton Ekonomia Online.
Nën patronazhin e kryetarit të Komunës, Ferit Idrizi, manifestimi qendror u mbajt në Qendrën e Kulturës ”Hasan Prishtina” në Vushtrri. Me këtë rast, janë nderuar me Çmimin “Hasan Prishtina” tri personalitete të shquara të rezistencës kombëtare dhe të luftës për liri: Ali Januzi, Idriz Asllani dhe Ramadan Manovi.
Ndërsa në kuadër të Konferencës Shkencore me temën ”110-vjetori i kryengritjes së përgjithshme dhe shtetit të pavarur shqiptar – roli i Hasan Prishtinës”, do të paraqiten me punime shkencore studiues të shumtë të historisë kombëtare shqiptare.
Në fjalën e tij, kryetari Idrizi e quajti madhështor këtë manifestim me pjesëmarrjen e historianëve nga të gjitha trevat shqiptare. Ai theksoi se është krenar që manifestimi mbahet në qytetin e Hasan Prishtinës, Vushtrrinë.
“Të gjithë ju që jeni tubuar sot e plotësoni rrugëtimin jetësor të Hasan Prishtinës. Për dallim nga herët e tjera, ky manifestim është edhe më madhështor sepse organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe marrin pjesë historianë nga të gjitha trevat shqiptare me 22 kumtesa të paraqitura, të cilat do të nxjerrin në sipërfaqe edhe më shumë ato të pagjeturat dhe të paditurat për shtresat e gjera të qytetarëve se kush ishte Hasan Prishtina”, tha Idrizi.
“Jemi krenarë qe ky manifestim mbahet në qytetin e Vushtrrisë, pikërisht në vendlindjen e Hasan Prishtinës. Ky manifestim merr një dimension mbarëkombëtar, duke i bashkuar të gjithë atdhetarët”.
Ai ka treguar se në vitin 2009 me Çmimin “Hasan Prishtina” ishte nderuar simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi.
Selim Bezeraj prodekan për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve në Fakultetit Filozofik, UP, përgëzoi pjesëmarrësit për kontributin shkencor në ndriçimin e veprës së atdhetarit dhe kolosit të ndritur, Hasan Prishtina.
“Hasan Prishtinës ishte dijetari, bashkëpunëtori dhe bashkë-idealisti i trimave, Isa Boletini, Azem Bejtë Galica dhe Ismajl Qemaili”, u shpreh ai.
“Jemi mbledhur këtu që përmes kësaj konference shkencore ta ndriçojmë edhe më shumë me argumente shkencore rolin dhe kontributin e Hasan Prishtinës, për luftën dhe sakrificën heroike, për çlirimin e trevave shqiptare dhe pavarësinë tonë kombëtare”, theksoi Bezeraj.
E profesori Jaho Cana, zv.rektor i Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, tha se ka dokumente të bollshme të pazbuluara për rolin e Hasan Prishtinës në çështjen kombëtare.
“Çdokush mund të mendoj se për rolin e Hasan Prishtinës është folur gjatë e gjerë dhe me këtë periudhë janë marrë numër i madh i studiuesve. Në të vërtetë ka ende pikëpyetje sepse botuesit mund të sjellin risi dhe ngjarje që ende nuk janë të botuara”.
“Unë shpreh bindjen time se në këtë konferencë kanë ardhur studime të rëndësishme. Natyrisht se ka dokumente të bollshme dhe autentike ende të pazbuluara”, tha Cana.
Profesori universitar, Dorajet Imeri, ka folur për biografinë dhe personalitetin e atdhetarit Hasan Prishtina. Ai tha se vizionin e tij, Prishtina e dëshmoi në rrethana dhe situata të ndryshme.
“Hasan Prishtina ishte veprimtar, prijës i Lëvizjes Kombëtare, e cila përmes kryengritjes kombëtare po krijonte shtetin shqiptar. Ai ishte diplomat, ideolog e vizionar, ndërsa këtë e dëshmoi gjatë gjithë jetës së tij në rrethana dhe situata të ndryshme”, tha ai.
Po sot, në Qendrën e Kulturës ”Hasan Prishtina” në Vushtrri, është hapur ekspozita me fotografi dhe dokumente për personalitetin e Hasan Prishtinës.
Pjesëmarrësit kanë vizituar gjithashtu Kalanë e Qytetit dhe Urën e Gurit.