Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur konferencë lidhur me mostrajtimin adekuat të rasteve të viktimave të dhunës, si dhe problemin e financimit të strehimoreve.
Kjo konferencë vjen pas vizitave që Sekretariati i Gruas i VV-së ka bërë në strehimoret në qytete të Kosovës. Drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në VV, Nazlie Bala, dhe deputeti Sami Kurteshi, theksuan se e tërë ndihma që shteti duhet t’u ofrojë viktimave është lënë në duar të strehimoreve dhe në të njëjtën kohë këto nuk mbështeten ose mbështeten fare pak financiarisht. Shuma që shteti shpenzon në ditë për viktimat është nga 1.7 euro deri në 7.6 euro maksimalisht.
Një trajtim i tillë, është është si formë dënimi në vend se të ishte raport kujdesi. Nganjëherë strehimoret detyrohen të pranojnë më shumë viktima sesa kanë kapacitet, tha Nazlie Bala.
Ajo mori shembullin e Gjakovës ku strehimorja ka kapacitet prej 16 shtretërve. “Në ditën kur e kemi vizituar strehimoren kanë qenë 22 viktima, prej tyre kishte gra dhe fëmijë. Kjo strehimore qëndron më se keqi financiarisht”.
Bala tha se dhuna në familje po rritet çdo ditë dhe se në Kosovë ka mbi 22 mijë viktima të dhunës në familje. “Dhuna në familje po rritet çdo vit. Qe nga viti 1999 në Kosovë ekzistojnë 7 strehimore për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Strehimorja për fëmijë dhe për trafikim të qenieve njerëzore financohen nga ana e shtetit”.
“Qe nga vitit 2003, kur është formuat njësiti i parë nga Policia e Kosovës, deri më tash në Kosovë ka 22 mijë viktima si pasojë e dhunës në familje”.
Bala tha se krahas ligjit që trajton dhunën në familje, ka dhe disa strategji, të cilat edhe pse janë aprovuar që nga viti 2013, asnjëherë nuk kanë kaluar përmes Kuvendit dhe nuk iu është shtuar një linjë buxhetore.
“Sot shteti i Kosovës është mbështetësi i vetëm te strehimoret, ato nga vitit 2003 ballafaqohen me vështirësi financiare. Një strehimore subvencionohet, por nuk financohet… Nga janari ato punojnë në baza vullnetare”.
Bala dha shifrat për secilën strehimore se sa shpenzon shteti për një viktimë: Strehimorja në Gjakovë – 1.75 euro; Strehimorja në Gjilan – 2.55 euro; Strehimorja në Prizren – 3.83 euro; Strehimorja në Mitrovicë – 7.76; Strehimorja në Ferizaj – 6.39 euro.
Këto shifra, sipas saj, flasin se shteti nuk është në anën e të dobëtit. Madje edhe agresori që i këtyre rasteve merr më shumë kujdes prej shtetit. “Disafish më shumë, shteti shpenzon për të burgosurit. Kjo tregon se statusi i viktimës është i papërfillshëm në shoqërinë tonë.Një gjendje e tillë vjen si pasojë e mos financimit, por vetëm subvencionimit nëpërmjet projekteve. Shuma që ju ndahet strehimoreve për një vit është 20.000 euro. Nga kjo shumë, 30 përqind ndahet paga për stafin. Paga e punëtorëve të strehimoreve shkon nga 120 euro deri në 170 maksimalisht”.
E deputeti Sami Kurteshi tha se forma më brutale e shprehjes së mentalitetit patriarkal dhe pushtetit të burrave të korruptuar është dhuna ndaj grave. “Pasojë e kësaj është numri i lartë i atyre që kërkojnë strehim e mbrojtje’.Ai shtoi se duhet të punohet në parandalimin e dhunës, por në të njëjtën kohë që të ofrohet kujdes në nivel shtetëror për viktimat”.
“Pavarësisht shifrave formale, dhuna është shumë më e madhe sesa raportimi. Andaj edhe reagimi shtetëror duhet të jetë më i madh”.
Kurteshi tha se kjo vjen si pasojë e shpërdorimit të pushtetit të burrave. “Strehimoret në nivel vendi përveç certifikimit për shërbimet të cilat i ofrojnë, duhet të institucionalizohen dhe të zyrtarizohen ashtu që në buxhetin e shtetit ta kenë një zë buxhetor të veçantë”.
Kurteshi tha se ndihma e viktimave të dhunës në familje do të duhej të ishte e rregulluar në nivelin shoqëror dhe shtetëror dhe kjo nuk është bërë. Sipas tij, Kosova ka një legjislacion që përpiqet të përafrohet me legjislacionin modern, por në praktikë gjendja është e keqe.
“Ndarja nga gjiri familjar bëhet atëherë kur dhuna tejkalon çdo masë. Mbi 99 të rasteve janë gra dhe fëmijë. Ky pushtet i burrave të korruptuar në vend se të bëjmë veprime shumë të drejta merr gratë bashkë me fëmijët, i nxjerr nga shtëpia dhe i dërgon në vend tjetër, kurse burrat i lë rehat”, tha Kurteshi, raporton Ekonomia Online.
“Në pronë ka të drejtë vetëm burri dhe jo gruaja. Një shoqëri që ne thelb bën diskriminim të tillë. Mendoj qe ka nevojë për ndryshime të mëdha”.