Deputeti nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, i cili po këmbëngul në prishjen e koalicionit PDK-LDK, ka thënë se në rast të prishjes së këtij koalicioni ka mundësi dhe vullnet në PDK-së që të krijohet koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën, për shkak të përafrimeve që kanë me këto parti dhe lidhjet që kanë me anëtarët e tyre.
Buja nuk ka hedhur poshtë edhe mundësinë e krijimit të një koalicioni edhe me subjektin më të madh opozitar, Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se PDK do të mund të krijonte afërsi me VV-në.
Mirëpo, pavarësisht këtyre deklaratave, boshti opozitar AAK-Nisma dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë ta kundërshtojnë kategorikisht një koalicion të mundshëm me PDK-në.
Shkodran Hoti, nga zyra për media e Vetëvendosjes, ka thënë për Telegrafin se në vazhdimësi kanë deklaruar se është e pamundur që të kenë bashkëpunime me subjektet që e kanë kapur shtetin, e në asnjë mënyrë të flitet për ndonjë koalicion me PDK.
“PDK është parti e kriminalizuar, e cila drejtohet nga ai që quhet Klani Pronto. Ky klan kriminal i ka kapur të gjitha institucionet, i ka varfëruar qytetarët, e ka shkatërruar ekonominë dhe e ka izoluar Kosovën në aspektin e integrimeve”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se përveç që nuk e marrin parasysh në asnjë moment koalicionin me PDK, Vetëvendosje vazhdimisht u ka bërë thirrje edhe partive të tjera që të mos bëjnë koalicione me të, sepse sipas tyre vetëm duke e larguar PDK-në nga pushteti hapet rruga për çlirimin e institucioneve dhe ç’kapjen e shtetit.
“Ne shohim çdo ditë deklarata të ndryshme të zyrtarëve të kësaj partie, dhe për ne nuk është që përbëjnë diçka të rëndësishme. Deklarata të tilla janë jo relevante për ne”, theksoi Hoti.
Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë për Telegrafin se deklarata e Shukri Bujës, është qëndrim i një deputeti, partia e të cilit është në pushtet me një subjekt tjetër, të cilët së bashku nuk është se ia kanë sjellë ndonjë të mirë vendit.
Ai ka shtuar se qytetari do të jetë ai që do të vlerësojë se ku dhe me kënd do të jenë pas zgjedhjeve, përmes votës së tyre.
“Ne tash për tash si bosht opozitarë, AAK-Nisma kemi koalicion të konfirmuar vetëm me qytetarët të cilët janë tejet të interesuar për ndryshimin e vërtetë të mënyrës së të qeverisurit të Kosovës. Ne kemi theksuar se jemi të hapur edhe për të gjitha subjektet opozitare e personalitete të jetës politike-publike që angazhohen për një Kosovë të zhvilluar, të fortë ekonomikisht e të integruar”, ka thënë Lekaj.
Lekaj ka shtuar se AAK-NISMA po angazhohen seriozisht që pas zgjedhjeve të kenë mundësi që të jenë mandatari për krijimin e qeverisë.
I pyetur se a ka ndonjë gjasë që të ndodh koalicioni me PDK-në, Lekaj ka theksuar se “Kjo nuk mund të ketë përgjigje të prerë, apo vija të kuqe, as në kuptimin pozitiv e as negativ para se të zhvillohen zgjedhjet”.
Ai shtoi se dëshira dhe angazhimi i tyre është që qeveria e ardhshme të udhëhiqet apo të ndërtohet nga subjektet që kanë çfarë t’i japin Kosovës dhe qytetarëve të saj, pra të sjellin ç’kapjen e institucioneve dhe të shtetit prej korrupsionit.
“Në këtë kuptim bashkëpunimi ynë më i sigurte është që këtë ndryshim ta bëjmë bashkë me qytetarët dhe jam i bindur se kështu do të ndodhë”, tha Lekaj.