Institucionet e Kosovës janë kapur nga klane kriminale dhe mafioze. Kështu ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë një konference të mbajtur sot në Lëvizjen Vetëvendosje, në lidhje me përgjimet e publikuara së fundi, me protagonistë Ademin Grabovcin e zyrtarë të tjerë të PDK-së.
Sipas tij, kjo qeveri kriminale ndalet veç me protesta në rrugë.
“Këto institucione janë të kapura nga një klan mafioz, një klan kriminel, një klan që nuk ka respekt për qytetarët, që nuk respekton barazinë e qytetarëve, dhe që për qëllime të veta është e gatshme të shkelë të gjitha parimet e mundshme”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës tha se këto përgjime janë më serioze sesa po paraqiten. Ai deklaroi se këtë qeveri mund ta ndalë vetëm populli i Kosovës duke dalë në rrugë.
“Të gjitha këto parregullsi mund t’i ndalin qytetarët me protesta, me demonstrata, me mobilizim deri ne rrëzimin e kësaj qeverie kriminale”.
“Duhet ta kuptojmë se situata është shumë më serioze dhe pasojat janë shumë të mëdha, sistemi i drejtësisë duhet të ndryshoj sa më shpejt e jo Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Adem Grabovci, të pyetën për çdo gjykatës e prokuror, pasi që kjo nuk i përket aspak një vendi të pavarur e demokratik”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti u shpreh se të tillët si Grabovci janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për pozita dhe t’i shkelin të gjitha parimet.
“Situata është shumë e rënduar. Janë 1000 përgjime telefonike dhe vetëm 10 janë bërë publike. Nëse në sistemin tonë të drejtësisë, në shkolla, në universitete, në institucione publike vendosen njerëz vetëm me një telefonatë, atëherë këto janë pasojat e papunësisë e fatkeqësive”.
Kurteshi: Drejtësia nuk vjen prej qielli
Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Smajl Kurteshi, theksoi se gjyqësori është institucioni më i pabesueshëm nga qytetarët e Kosovës dhe për këtë duhet bërë zgjidhje sa më shpejt.
“Cila është zgjidhja? Kthimi i drejtësisë nuk vjen prej qielli, por prej njerëzve të këtij vendi dhe me zgjimin e ndërgjegjes politike. Në këtë gjendje vetëm ne bëjmë ndryshimin”, tha ai.
Ish-Avokati i Popullit tha se në Kosovë ka denigrim të sistemit shtetëror.
Sipas tij, “ftesat” që po i bëhen Vetëvendosjes nga zyrtarë në pushtet që ankesat e tyre t’i dërgojnë te organet e drejtësisë është shumë cinike, pasi që drejtësia institucionale është e degraduar.