Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë ka denoncuar dëmtimin e billbordeve me foton e kandidatit të këtij subjekti për kryetar të komunës, Shpejtim Bulliqi.
Në një postim në Facebook, dega VV-së në Podujevë, ka thënë se ky akt është kryer nga ata që po i frikësohen ndryshimit.
Zgjedhjet për kryetar të Podujevës do të mbahen të dielën.
“Sot, në ditën e dytë të fushatës persona të panjohur kanë dëmtuar billboardet e Lëvizjes Vetëvendosje në disa lokacione. Duket që atyre që po u pengon ndryshimi dhe që nuk po mund ta ndalin kanë planifikuar të dëmtojnë posterët dhe billboardet tona. Të tillë janë dëmtuar në Gllamnik dhe Peran. Qytetarët tashmë janë përcaktuar për ndryshim, ju mund të shqyeni billboardet e kandidatit tonë, por nuk do të mund ta ndryshoni vullnetin e qytetarëve të Podujevës që kanë vendosur ta ndëshkojnë krimin e korrupsionin, hajninë e nepotizmin, neglizhencën e keqmenaxhimin”, ka shkruar VV-ja.
Kandidatë për kryetar të Podujevës pos Bulliqit janë edhe Nexhmi Rudari nga LDK-ja dhe Naim Fetahu nga PDK-ja.
Tash e sa kohë, Podujevën e kanë qeverisur kandidatët nga LDK-ja.