Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu dhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi janë përplasur për gjendjen në sistemin shëndetësor në vend.
Aliu e ka quajtur katastrofë shëndetësore mungesën e oksigjenit nëpër spitale.
Ai ka thënë se katastrofa e ka fillin te Qeveria e cila është duke udhëhequr me vendin.
“Nuk e di si mund të duket ndryshe katastrofa shëndetësore përveçse spitalet nuk kanë oksigjen. Katastrofa që po e shohim fillet i ka diku tjetër por datën e paraqitjes e ka para 6 muajve. Kjo Qeverisje në mungesë i bëri 6 muaj duke folur më shumë për karrigen e presidentit sesa për oksigjenin për të cilën po vuajnë qytetarët”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq Gashi i është përgjigjur se me mbylljen e vendit në kohën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, vendi ka shkuar drejtë kolapsit ekonomik e shëndetësor.
Ai ka thënë se në mungesë të guximit për të marrë përgjegjësi, VV-ja e dorëzoi shtetin e pushtetin.
“Ne sot po shohim vazhdën e përfaqësueseve të moralit të pavërtetës dhe gënjeshtrës në Kuvendin e Kosovës. Zotëri ne kemi një rezultat zgjedhor që është certifikuar dhe demokracia bazohet mbi rezultatin zgjedhor. Demokracia është sport pak më i rëndë sesa populizmi juaj i shpërfaqur në Kuvend, rrugë e në secilin autoritet ku ju pak keni pasur mundësi të udhëhiqni. Por po i shohim modelet e udhëheqjes tuaj në Prishtinë e Prizren, korrupsion e nepotizëm, ky është modeli juaj”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë se për 15 ditë VV-ja arriti ta fut Kosovën në krizë institucionale e ndërkombëtare.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë se për një qeveri të sëmurë për pushtet, numri i të infektuarve dhe të vdekurve është vetëm justifikim për t’i shtyrë zgjedhjet.
Sipas tij, suksesi më i madh i kësaj Qeverie është futja në zona të kuqe të dhjetëra komunave.
Uka ka thënë se numri i të vdekurve në ditë është i barabartë me numrin e të infektuarve që ishte dikur, duke shtuar se masat janë të njëjta për javë të tëra.
“Kjo është mënyra se si e lajnë ndërgjegjen këta. Aq keq është situata sa që oksigjeni është bërë luks për spitalet rajonale. Numrat janë direkt rezultat i masave të kota dhe mungesës së veprimeve konkrete. Me pazotësinë tuaj e keni sëmurë shëndetësinë e keni rrënuar ekonominë, dhe nuk e di se çfarë tjetër iu ka mbetur para se të shkoni në shtëpi. Por masa më e mirë që mund të merrni kundër COVID-19 është padyshim dorëheqja juaj”, ka thënë ai.