Dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj tregon kapjen e drejtësisë nga politika në vend, u tha sot në konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetja Albulena Haxhiu tha se procesi i vetingut dhe sistemi i drejtësisë nuk mund të bëhet pa u hequr kjo qeveri, raporton Ekonomia Online.
“Javën e kaluar kur dëgjuam për dorëheqjen e Blakajt të gjithë ishim të hamendësuar. Të hënën vetë Blakaj shpalosi kërcënimet. Nga vetë ajo që ka shkruar, Blakaj zbërthen kapjen e shtetit. Të gjithë e keni dëgjuar të njëjtën gjë edhe nga ne, për kapjen e shtetit. Ato çka kemi thënë po dalin të vërteta. Në këtë letër Blakaj tregon se nga kush i kishte ardhur kërcënimi nga vetë Lumezi”.
Ajo ftoi opozitën dhe qytetarët për angazhim në dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj dhe kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, raporton EO.
“Kadri Veseli është dashur të thirret si i dyshuar dhe jo si dëshmitar. Kryeprokurori Lumezi është në shërbim të politikës sot. Nuk është e çuditshme pse u pasuruan pas luftës politikanët. Letra e Blakajt tregon mjerimin në sistemin e drejtësisë. Kosova nuk ka qeverisje, por ka regjim. Ftojmë qytetarët dhe opozitën të angazhohen në dorëheqjen e Haradinajt dhe Aleksandër Lumezit”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se duhet të ketë vullnet politik për ta ndryshuar sistemin e drejtësisë, ndërkaq kritikoi qasjen e kryeministrit ndaj largimit të prokurorit Elez Blakaj.
“Në Kosovë ekziston një terror i pashembullt i pushtetit mbi drejtësinë. Njerëzit që janë kompetentë për ta ndjekur krimin janë ata të cilët nuk mund ta kryejnë punën e tyre nga qeveritarët. Blakaj është shembulli më i mirë se deri ku ka shkuar kapja e këtij vendi”.
Sipas Konjufcës, nuk ka më shpresa për sistemin e drejtësisë në Kosovë, sepse, sipas tij, ai është i kapur, raporton EO.
“Ato që i tha Haradinaj për kryeprokurorin Blakaj ngjasojnë pikërisht me ato telefonatat kërcënuese. Vizioni i kryeministrit për një kryeprokuror në Kosovë është me kallash në krah. Ne nuk do t’i bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë për të hetuar asgjë. Prokurori special ka ikur nga Kosova, sepse ka thënë se nuk ka ku të ankohet, sepse sistemi i drejtësisë është i kapur. Nuk ka asnjë shpresë më të voglën për sistemin e drejtësisë”.