VV-ja i quan qesharake akuzat e PDK-së

Prishtinë | 08 Gus 2017 | 14:39 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje (VV) përmes një konference për media iu është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Qesharake i kanë quajtur akuzat e PDK-së, përfaqësues të këtij subjekti politikë, raporton Ekonomia Online.

“Një kritikë tjetër qesharake që na kanë bërë këta është se ne po ikim nga ballafaqimi me ta. Në fakt, Vetëvendosje ka vite që kërkon ballafaqim publik të argumenteve me PDK-në. Por, ata kanë ikur, qoftë nga interpelancat në Kuvend, qoftë nga debatet në televizione. E dimë pse”, ka thënë Xhelal Sveçla, anëtar i kryesisë së VV-së.

Sveçla ka thënë se VV ka qenë e gatshme çdo herë që ta ballafaqohen me çdo kënd nga PDK-ja.

“Albin Kurti në fushatën e 2014 e ka ftuar Hashim Thaçin për debat dhe poashtu në 2017 ka qenë i gatshëm për debat me kandidatin e PAN-it. Kadri Veseli nuk ka pranuar asnjëherë debat me Kryetarin e LVV, Visar Ymeri, kurse kur merr pjesë Glauk Konjufca në një debat ata menjëherë e anulojnë pjesëmarrjen”, tha ai, raporton EO.

“Ndërkaq, për figurën e Shpendit nuk kemi pse të flasim fare, ai me çmime ndërkombëtare dhe krahasime pozitive po citohet nga The Guardian, Politico, City Mayor, Neë Yourker, kurse ka me dhjetra raporte ndërkomëtare ku krerë të PDK jane cilësuar si krerë të krimit të organizuar, si Amnesti International, Departamenti i Shtetit, NATO, KFOR etj etj”.

Sipas tij, askush s’mund t’i fshehë sukseset e Komunës siç janë: transparenca radikale, përmirësim i cilësisë në qendrat e mjekësisë familjare, ndalja e ndërtimeve pa leje, rregulli në administratë, ndarja e banesave sociale, autobusët e shumë e shumë të tjera.

“Ne nuk kemi asnjë respekt e as mirëkuptim për këtë luftë të ndyrë të PDK-së, por megjithatë e kuptojmë. Një parti që më 11 qershor e ka konfirmuar opozitën e saj, kurse brenda muajsh rrezikon rënien tjetër e që mund të shkojë drejt zhdukjes është në gjendje të bëjë gjithçka për t’u kthyer sërish në pushtet. Dhe këtë, për hir të pasurisë, e shumë prej tyre edhe të lirisë. Këtë e dinë edhe qytetarët e Kosovës. Është e qartë se kush është manipuluesi e cili i drejti në këtë shoqëri”, u shpreh anëtari i VV-së.

Sveçla thotë se arsyeja tjetër, pse PDK po akuzon VV-në është edhe se po duan të shkaktojnë një bllokadë institucionale.

“Nuk i kanë votat për kryeparlamentar kurse ne dhe të qytetarët e Kosovës jemi duke i pritur që ata ta propozojnë emrin që atyre u takon. Ne jemi edhe duke shkuar në seancë për këtë”, ka thënë ai.

Sveçla, ka thënë se PDK-ja nuk po mund ta pranoj se është humbëse e zgjedhjeve të 11 qershorit.

“PDK-ja në asnjë moment nuk po pretendon se ajo është e mirë por mundohet të bind opinionin se të gjithë jemi njësoj. E kjo nuk është e vërtetë. Këtë çdo qytetar i Kosovës tash më e ka parë. Shumica prej tyre edhe e kanë thënë më 11 qershor”, tha ai.

“Realisht, njëjtë si në nivel vendi, PDK është parti e tretë në kryeqytet. Nuk është hera e parë, por besojmë që do të jetë ndër të fundit, që PDK mundohet që me shpifje dhe me rrena të cilat me as vetë nuk i besojnë të tërheqë vëmendjen e opinionit nga ndryshimet kapitale nëpër të cilat kalon vendi ynë po kalon”.

Sipas tij, të akuzosh se pse është drejtoreshë e arsimit një banore e Kosovës e cila paska rastisur të lindë në Gjakove këtë mundet ta bëjë vetëm PDK.

“Prej akuzave të tyre, kemi parë që ju pengon Gjakova,Theranda ose Podujeva por nuk e kanë problem që të bëjnë koalicion me Krushevcin, Leskovcin e Beogradin”.

“Sa u përket punësimeve në arsim Komunë, këtu janë tabelat që tregojnë se si është rritur mesatarja e notës së të punësuarve. Komuna e Prishtinës e ka përgjysmuar punësimin e atyre me notë mesatare 6-7 dhe e ka dyfishuar punësimin me notë superiore 9-10. Poashtu të gjithë parametrat tjerë dëshmojnë ngritje në cilësi në shërbime, transparencë, kontrolli dhe zvogëlim në shpenzime administrative”.

I pyetur se a do të shkojnë përfaqësuesit e Vetëvendosjes në takimin nesërm, deputeti i këtij subjekti politik, Xhelal Sveçla ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë në atë takim.

“Kryetari i Grupit tonë Parlamentar, Glauk Konjufca veçse është deklaruar për këtë takim, do të thotë në nuk marrim pjesë në këtë takim”, ka deklaruar Sveçla.

Të ngjashme